Akordohen fonde, do të ndërtohen apartamente për familjet në nevojë

Solidariteti dhe ndihma për familjet e prekura nga tërmeti kanë ardhur edhe nga biznesmenë e sipërmarrës të shumtë. Gjatë një takimi për mbledhje fondesh në Elbasan, biznesmeni Gjergj Luca theksoi se do të dhuronte 10 milionë lekë të reja.

“Balfin Grup” ka akorduar 1.2 milionë euro. Përveç kësaj shume financiare, kompanitë e këtij grupi, si “Spar”, “Neptun”, “Jumbo”, etj., jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të Kosovës, Maqedonisë, Bosnjes, e kështu me radhë, i kanë qëndruar pranë banorëve të pastrehë, duke u ardhur në ndihmë me mjetet e nevojshme dhe ushqime.

Kompania “Kastrati” ka dhuruar 1.5 milionë euro. Drejtuesi i saj Shefqet Kastrati vendosi gjithashtu që, kush kalon në rrugën e Kombit për të ndihmuar, nuk do të paguajë taksën e vendosur. Për rindërtimin e banesave ka kontribuuar dhe kompania “Bankers” e cila ka dhënë 1 milionë dollarë.

Pasi vizitoi nga afër banorët e prekur nga tërmeti, zv/kryeministri në detyrë i Kosovës, Behgjet Pacolli, vendosi të dhurojë sëbashku me familjarët e tij, 1 milion euro për rindërtimin zonave të dëmtuara.

Kompania “Gjikuria”, në kuadër të solidaritetit pas dëmeve të tërmetit të 26 Nëntorit, merr përsipër ndërtimin e 20 apartamenteve me financimin e saj, për familjet në nevojë.

Kontribut ka ofruar dhe kompania “Gener 2”. Ajo do të ndërtojë 20 apartamente në zonën e Thumanës, një nga më të prekurat nga tërmeti. Ndihma ka dhënë dhe kompania e ndërtimit “Salillari” e cila ka akorduar një milion dollarë për të prekurit nga tërmeti.

Tv Klan