Largimin e kompanisë “Omnix Albania” nga Shqipëria dhe tërheqjen e investimit të saj prej 450 milionë dollarësh, përfaqësuesit e biznesit vendas e të huaj e quajnë një këmbanë alarmi. Ikja e saj për arsyen se përfaqësuesi i saj në Shqipëri u dhunua barbarshit, konsiderohet si dëmi më i madh që i bëhet imazhit të Shqipërisë dhe përpjekjeve për të thithur investimet e huaja.

Përfaqësues të shoqatave të turizmit thonë se një investim i tillë, prej 450 milionë eurosh do t’i mungojë Shqipërisë, në një kohë që ajo ka nevojë më shumë se kurrë për këtë gjë.

Përveç investimit të 450 milonë dollarëve, kompania “Omnix”, me qendër në Dubai dhe me shtrirje në të gjitha vendet e Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut, do të ndërpresë edhe projektet e tjera në Shqipëri.

Përfaqësuesi i saj Fadi Mitri, që u largua me barrelë nga Shqipëria dhe nën masa të larta sigurie dhe presidenti i kompanisë, Jamal Abu Issa, janë ortakë edhe në kompaninë “Omnix Contracting and Engineering”, e cila është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, në vitin 2010 dhe ka si objekt aktiviteti punime ndërtimi, punë publike, qendra biznesi dhe rezidenca, hotele dhe godina akomodimi, rrugë, autostrada, ura dhe të gjitha llojet e ndërtimeve inxhinierike.

Kjo është një tjetër goditje e rëndë për investimet e huaja në Shqipëri dhe vjen në një kohë kur vendi ynë nuk po arrin të konkurojë me fqinjët në këtë sektor.

Në këtë mënyrë, Shqipëria dështon për herë të dytë me investimet me standarde në turizëm, pasi pak vite më parë largoi edhe “Club Med”, kompaninë e dyte në botë në fushën e turizmit.

Tv Klan