Opozita zgjodhi që debatin për buxhetin e vitit 2019 të mos e bëjë në Kuvend, por disa metra larg sallës së parlamentit, në një nga hotelet në qendër të kryeqytetit. Por biznesi, i cili ishte ftuar në këtë bashkëbisedim, i sugjeroi që argumentet t’i ballafaqonte me maxhorancën në komisione dhe sallën e Kuvendit.

Opozita duhet te ishte e pranishme në komisione dhe parlament, ku diskutohej buxheti dhe pastaj të ikte dhe të digjte edhe mandatet po të donte

”, tha Gjergj Buxhuku, kryetar i Konfindustrias.

Por, kryedemokrati Lulzim Basha tha se “Sot kemi bërë një përpjekje titanike për t’i ikur tallavasë që imponon një Kryeministër i dështuar, që nuk i ka mbetur gjë tjetër vetëm se të flasë nga foltorja e Kuvendit si llazore. Prandaj nuk mund të jemi në atë parlament, sepse ai nuk flet asgjë, asgjë nuk ka thënë sot as për hallet e njerëzve, as për problemet as për zgjidhjet, është tallur nga fillimi deri në fund. Përtej patologjisë psikiatrike që është domeni i mjekëve në këtë sallë, dua të them se unë refuzoj si kryetar i opozitës ta zbres nivelin e debatit publik në nivelin prej halabaku me të cilin flet Edi Rama për të fshehur dështimin total të qeverisë së tij.”

Kur flet për librin e financave të qeverisë, Basha e etiketon atë model të varfërimit të shqiptarëve, korrupsionit dhe pasurimit të oligarkëve të lidhur me pushtetin.

Buxhet që vjedh njerëzit dhe pasuron të pasurit, model klientelist dhe i korruptuar. Ka rrit çmimet, taksat energjinë, 97% e shqiptarëve paguajnë me shumë se para 5 vitesh dhe shifrat janë 1.9 miliard euro më shumë të nxjerrë nga xhepat e shqiptarëve.

Ndërsa ish-kryeministri Berisha foli për një panoramë edhe më të zymtë për atë çka sipas tij pritet të sjellë për shqiptarët buxheti i vitit 2019.

85% është borxhi sot, të gjitha PPP-të e Ramës janë borxh, po shkoi tek 85 do shkojë në 100% borxhi. Kjo ekonomi do na zërë brenda. Kjo piramidë drejtohet nga organizata më e tmerrshme kriminale. Shqipëria sot është piramide në kuptimin e mirëfilltë financiar. Krahas kësaj piramide të tmerrshme ekonomike kemi piramidën financiare, shumë më të rrezikshme se ajo që kaluam ne, se piramidat greke…”

Ajo që më së shumti i shqetëson investitorët e huaj janë rritja e taksave dhe çështja e pronës.

Shqipëria duhet të jetë konkurrente me rajonin nga pikëpamja e taksave, nëse ka taksë dividenti 0 në 5 s’jemi konkurrente. Përndryshe edhe shqiptarët do shkojnë të investojnë në Shkup e Prishtinë. Duhet të përmbyllet harta e pronësisë që të dimë ku do investojmë e ku jo

”, tha Mark Crawford, Kryetar i Dhomës Amerikane Të Tregtisë.

Në takimin me opozitën e bashkuar biznesi i vogël paralajmëroi protesta lidhur me vendimin e qeverisë për ndërrimin e kasave fiskale, ndërsa Lulzim Basha ripërsëriti qëndrimin se pas ardhjes në pushtet çdo tender koncesion e PPP korruptive do të anulohet.

Tv Klan