Disa të shoqëruar për ngjarjen në Fier

Tre plumba në zonën e qafës dhe kokës dhe rreth 15 të tjerë në kraharor i kanë marrë jetën 57-vjeçarit Demir Backa, i cili mbeti i vrarë në atentatin e së shtunës në mbrëmje në Fier. Policia ka shoqëruar deri tani 15 persona, të cilët janë marrë në pyetje mbi ngjarjen, pasi kanë parë atë çka ka ndodhur.

Ndërkohë që mjeti i djegur i autorëve të vrasjes së 57-vjeçarit është dërguar në komisariatin e Policisë së Fierit. Policia vazhdon hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të vrasjes së Backës.

Burime policore bëjnë me dije se në atentat mund të kenë qenë 3 persona të paguar për të kryer krimin. Ndërsa pistat e hetimit mbeten dy, ndonjë konflikt mbi pasuritë e shumta të 57-vjeçarit dhe sherri familjar i dy viteve më parë. Po sipas burimeve,  këtë sherr viktima e ka pasur me një person të botës së krimit në Fier, ndaj ka dyshime të forta se ai mund të ketë paguar për të vrarë Demir Backën./tvklan.al