11 punonjës të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit janë proceduar penalisht për shpërdorim detyre. Shkak është bërë një inspektim i tyre në kundërshtim me ligjin në një biznes në kryeqytet.

Çdo gjë ka nisur nga një denoncim i subjekti privat pranë Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë. Nga verifikime e kryera nga vetë biznesi, ka rezultuar se nga 11 punonjësit e IKMT-së që ishin paraqitur per kontroll, vetëm 4 prej tyre kanë patur urdhër për kryerjen e inspektimeve në terren, ndërsa pjesa tjetër ka vepruar në kundërshtim me ligjin.

Nisur nga ky denoncim në ambientet e Policisë së Tiranës janë shoqëruar 11 punonjësit e mësipërm. Pasi kanë dhënë deklarimet përkatëse pranë Policisë dhe Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, janë proceduar në gjendje të lirë. Por prokuroria vijon hetimet mbi ta. Mbi inspektorët e IKMT rëndon akuza për shpërdorim detyre.

Procedimet ndaj punonjësve të IKMT-së vijnë vetëm pak kohë pas emërimit në detyrën e kreut të këtij institucioni të Agim Ismailit, i cili ka qenë më parë Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve.

Prej emërimit të tij në krye të IKMT-së, ankesat nga bizneset, për kontrolle dhe sekuestrime në mënyrë të paligjshme janë shtuar dhe shumë prej këtyre ankesave kanë përfunduar në gjykatë me të proceduar punonjësit e IKMT apo institucionin e drejtuar nga Ismaili.

Tv Klan