Stive Bing vetëvritet nga depresioni i karantinës 

Biznesmeni dhe producenti i njohur amerikan Steve Bing i ka dhënë fund jetës duke u hedhur nga apartamenti në Los Angelos. 55-vjeçari, sipas mediave ndërkombëtare, për më shumë se 3 muaj kishte rënë në depresion për shkak se nuk takonte asnjë të afërm apo mik për shkak të pandemisë.

Bing dallohet për prodhimin e disa prej filmave të njohur si  “Get Carter” apo “Polar Express”, ku luan Tom Hanks. Gjithashtu Steve njihet edhe për skandalet në jetën e tij private, ku mediat herë pas herë e quanin një ‘monstër’ që nuk donte as fëmijët e tij, edhe pse i mbështeste ata nga ana financiare.

I quajtur ndryshe Playboy i Hollivudit , Bing ka qenë në një marrëdhënie me aktoren Elizabeth Hurley, me të cilën pati një djalë, Damianin, si dhe me ish-tenisten Lisa Bonder, me të cilën kishte një vajzë, Kira.

Të dy fëmijët Damian dhe Kira duhej t’i nënshtroheshin testeve të atësisë për të provuar se ai ishte babai i tyre,  madje u punësua një detektiv privat për të marrë një provë të ADN-së së Bing-ut.

Producenti besohet se kishte një pasuri që kapte vlerën e 590 milionë dollarëve. Pasi mori trashëgiminë e tij në moshën 18 vjeç, Bing u largua nga Stanford për të ngritur biznesin e filmit.

Ai më pas u bë një donator i mirënjohur për kauza liberale, përfshirë Fondacionin Klinton. Në vitin 2009, Steve pagoi fluturimin që Klinton kërkoi për të sjellë dy gazetarë nga Koreja e Veriut në SHBA, pasi po mbaheshin peng nën akuzat e spiunimit.

Klan Plus