Ilir Rrapaj ankimon vendimin që e mbylli në qeli

Biznesmeni që fitoi koncensionin e sterilizimit, Ilir Rrapaj, i arrestuar në akuzën e “Mashtrimit me pasojat e rënda” kërkon lirinë në Gjykatën e Apelit.

Me anë të postës ai ka dorëzuar ankimim kundër vendimit të Shkallës së Parë që e mbylli atë në qeli pa afat, gjatë fazës së hetimeve për dosjen ku po hetohet konçensioni i sterilizimit të mjeteve mjekjësore.

Ankim kundër vendimit të Shkallës së Parë pritet që të bëjë edhe ish-zëvendësministri i Shëndetësisë, Klodjan Rjepaj.

SPAK thotë se koncensioni i sterilizimit të mjeteve mjekësore është dhënë në kushtet e konfliktit të interesit, pasi ish-zëvendësministri, i cili drejtonte edhe komisionin e përzgjedhjes së kompanive, kishte njohje të mëparshme me biznesmnin.

Gjithashtu, Prokuroria e Posaçme rendit disa udhëtime të Rrapajt me ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqajn dhe ish-zëvendësministrin e Shëndetësisë, Klodjan Rjepajn, para dhe pas dhënies së koncensionit.

Për këtë dosje në masa sigurimi arrest shtëpie dhe detyrim për t’u paraqitur janë edhe 6 zyrtarë të tjerë, teksa hetimet vijojnë për ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqajn dhe ish-ministrin e Financave, Shkëlqim Canin.

Tv Klan