Në një prej rrugicave më të veçanta të Vienës, në afërsi të Teatrit të Operas ndodhet një restorant shumë i famshëm.

Luciano Pavarotti, Bill Clinton apo edhe aktorë me famë botërorë si Tom Cruise kanë darkuar së paku një herë në atë restorant ku kuzhina e sofistikuar italiane shoqërohet me verën më cilësore dhe muzikën më të përzgjedhur ambientale. Reputacioni i restorantit si vendi i preferuar i artistëve dhe politikanëve e ka kthyer në atraksion të vërtetë në kryeqytetin austriak. “Sole” tashmë është pjesë e pashmangshme e itinerarit të personaliteteve të rëndësishëm sa herë vizitojnë Vienën. Dhe mbi të gjitha është vizioni i një sipërmarrësi shqiptar nga Maqedonia, Aki Nuredini. Në një intervistë për emisionin “Jo vetëm modë” në Tv Klan Nuredini rrëfeu se si 30 vite më parë shkoi në Vienë me dëshirën për të ngritur një biznes.

“Kuzhinën italiane gjithnjë e kam dashur. Babai im ka qenë biznesmen, ka patur bizneset e tij dhe unë kam punuar me të. Më pas vazhdova edhe unë biznesin. Për t’i bërë njerëzit për vete duhet t’iu thuash gjëra interesante. Restoranti që unë kam sot ka qenë butik dhe unë kur e pashë thashë ky do të jetë restoranti im dhe e bleva. Unë doja një vend sa më pranë operës. Në muret e restorantit ka një ekspozitë të artistëve të famshëm, të cilët i kanë bërë për mua. Një kompozitor austriak ka bërë edhe një simfoni për mua, të cilën e ka quajtur “Nuredini””,

tregoi Nuredini.

Dhe jo vetëm një simfoni që mban emrin e tij, Aki Nuredini është edhe protagonist i një projekti të veçantë letrar. “Do re mi fa Sole” është një libër që rrëfen historitë e pathëna nga prapaskenat e koncerteve të artistëve të famshëm, shumë prej të cilave kanë ndodhur në restorantin e tij.

/tvklan.al