Tre dekada pas katastrofës bërthamore të Çernobilit, Bjellorusia ka vënë sot në funksion stacionin e saj të diskutueshëm të energjisë bërthamore të ndërtuar nga Rusia, pavarësisht shqetësimeve të sigurisë nga vendet fqinje Balltike.

Centrali bërthamor Astravets, i cili është edhe  stacioni i parë bërthamor i Bjellorusisë, është vetëm 30 milje larg nga kryeqyteti lituanez Vilnius ndërsa Ministri i Jashtëm i vendit, Linas Linkevicius ka kritikuar këtë hap duke thënë se ka filluar pa zgjidhur njëherë çështjet e sigurisë dhe e ka përshkruar si një projekt të energjisë me prapavijë “gjeopolitike”.

“BE dhe komuniteti ndërkombëtar, nuk mund të qëndrojnë indiferentë ndaj një injorance të tillë cinike,” ka shkruar Linkevicius në Twitter.

Pas këtij vendimi nga Bjellorusia, qeveria lituaneze ka ofruar tableta jodi falas që ruajn֝ë gjëndrën tiroide nga dëmtimi i rrezatimit. Tabletat janë shpërndarë për gjysmë milioni njerëz që jetojnë afër kufirit të Bjellorusisë për t’i ndihmuar në mbrojtje në rast aksidenti.

Përkundër kundërshtimeve të shumta Ministria Bjelloruse e Energjisë tha në Gusht se dy reaktorët e uzinës përfundimisht do të furnizojnë një të tretën e kërkesave të energjisë në vend. Ky stacion është ndërtuar nga agjencia bërthamore shtetërore ruse Rosatom, dhe ka kushtuar rreth 11 miliardë dollarë (9.3 miliardë euro) dhe kryesisht është financuar nga një hua ruse.

Kujtojmë se vënia në funksion e këtij centrali vjen pas aksidentit në stacionin elektrik të Çernobilit në vitin 1986, që ishte i vendosur në territorin e Ukrainës Sovjetike dhe ndoti rreth një të katërtën e territorit të Bjellorusisë.

Centrali bërthamor Astravets po fillon punën në kohën kur Presidenti i Bjellorusisë Alexander Lukashenko, po përballet me protesta historike kundër pretendimit të tij për fitore në zgjedhjet presidenciale të Gushtit. Zgjedhje për të cilat udhëheqësit perëndimorë dhe kritikët e tij thonë se janë mashtruese dhe të manipuluara./tvklan.al