Tony-Blair-uses-th_3539859b

Ish-kryeministrit britanik, Toni Bler, i është ndaluar qëndrimi në ambasadat britanike në botë dhe përdorimi i mjeteve dhe burimeve qeveritare për punët e tij private. Lajmi bëhet i ditur nga e përditshmja britanike “The Telegraph”, e cila shton se kjo masa është marrë edhe për disa ish-ministra.

Ministria Britanike e Punëve të Jashtme deklaroi se nuk do të lejojë “përdorimin e pavend” të stafit diplomatik dhe do të ndalojë përhapjen e përshtypjes së gabuar, se figura të caktuara përfaqësojnë qeverinë.

Kjo masë për Toni Bler vjen pasi sipas gazetës ish-kreu i qeverisë kishte përfituar nga burimet qeveritare dhe kishte shfrytëzuar informata të ambasadës në Kinë, Kanada, Maqedoni e vende të tjera.

“The Telegraf” përmend si një nga këto vende edhe Shqipërinë. Bler ka deklaruar se është angazhuar si këshilltar pa pagesë i qeverisë së Tiranës. Ai ka bërë edhe disa vizita në vendin tonë.

Ndër shembujt e sjellë nga “Telegraph” citohet se Bler ka kaluar natën në rezidencën e ambasadorit britanik në Libi, gjatë një udhëtimi biznesi në vitin 2009, ku do të takohej me ish-diktatorin libian, Muhamar Gedafi.

Tashmë ai është i njohur për zyrat e konsulencës të hapura në shumë vende të botës, ndërsa shpesh është angazhuar edhe në misione diplomatike të OKB-së.

TV Klan