Në mungesë të rezultateve në fushë në një skuadër futbolli kërkohet gjithnjë ndryshimi dhe zakonisht ndodh që të ndryshohet pankina. Me vendin e shtatë në renditje me 11 pikë po aq sa Laçi i vendit të parafundit, klubi i Tiranës vendosi të shkarkojë trajnerin Bledi Shkëmbi.
Tekniku e mori ekipi që para nisjes së sezonit dhe pati vështirësi në 12 javë duke marre vetëm një fitore, 8 barazime dhe 3 humbje.
Në fakt ka qenë detyrë e vështirë për Shkëmbin që kishte të bënte me një skuadër të re, lojtarë që nuk kishin luajtur me herët me njëri-tjetrin dhe që shpresohej që gjatë rrjedhës së kampionatit të formonin një ekip.
Edhe mungesa e luajtjes së ndeshjeve në kryeqytet, pranë tifozerisë ka ndikuar së tepërmi. Fusha e “Selman Stërmasit” është në kushte të papërshtatshme për të zhvilluar ndeshje futbolli.
Tjetër faktor që duket se ka ndikuar në rezultatet e ekipit është edhe mungesa e përqendrimit të lojtarëve si pasojë e situatës jo të mirë financiare të klubit. Burime pranë futbollistëve pohojnë se klubi ka ndaj tyre rreth 3 ose 4 muaj paga të prapambetura. Në këto kushte, pasiguria financiare është refkletuar në fushën e lojës.
Kjo e bën edhe më të vështirë situatën për stafin pasardhës që do t’i duhet të përballen me faktorin psikologjik, kushtet financiare dhe mungesën e një stadiumi.
Tv Klan