Blen apartament në Tiranë, pas 5 vjetësh i kërkojnë ta lirojë

Blen apartament në Tiranë, pas 5 vjetësh i kërkojnë ta lirojë

21:10 03/10/2019

Ushtaraku: Kush më mbron mua? Pronari i truallit: Dua pronën time, nuk dua t’i hyj në hak askujt

“Stop” është ndalur në rrugën “Don Bosko” në Tiranë, për një problem të ushtarakut Luan Nikollari. Ai tregon se mori një kredi të butë dhe bleu apartament në këtë zonë. Por pas 5 vjetësh që jetonte aty, përmbarimi i kërkoi të dalë e të lirojë shtëpinë, pasi i përket të zotit të truallit, Gent Bardhoku, në bazë të një kontrate që ky i fundit ka bërë me ndërtuesen Drita Daci.

“Unë i jap drejtuar emisionit Stop për një problem mjaft madhor, jetik që lidhet me familjen time, me fëmijët e mi, me jetën time. Si nëpunës i thjeshtë dhe si çdo qytetar me një kredi që na kishte akorduar Ministria e Mbrojtjes dhe me kursimet e mia të gjithë jetës, në vitin 2008 bëra një kontratë sipërmarrjeje me shoqërinë EDAl dhe bleva këtë apartament me shumën 55 mijë euro, pa llogaritur që shoqëria e la pa përfunduar pallatin dhe ne kemi bërë investime mbrapa, për kompletimet e tjera që shkojnë në një shumë goxha të konsiderueshme për xhepin tim dhe për familjen time”.

“Në vitin 2014, një vendim i Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës, që është konfirmuar edhe nga Apeli, është lënë në fuqi, rezulton që dhe këtë na e thotë përmbarimi shtetëror kur na erdhi në shtëpi… Ne jemi befasuar se të kesh 5 vjet në një shtëpi dhe të të vijë tjetri… Domethënë erdhi përmbaruesi i shtetit dhe thotë që këtë shtëpi duhet ta dorëzoni sepse i përket pronarit të tokës, zotit Gent Bardhoshi. Ne u befasuam, nuk kemi qenë palë në gjykim, nuk ka emër Luan Nikollari që duhet të dorëzojë këtë apartament, por thotë hyrja 303, kati 3, duhet t’i dorëzohet pronarit të tokës.”

“Në këto kushte ne hapëm gjyq, hodhëm përmbarimin shtetëror, morëm një masë sigurie dhe më pas vazhdoi kalvari i gjyqeve. Më pas erdhi shoqëria përmbarimore, e cila kërkoi që të lironim apartamentin. E hodhëm edhe këtë në gjykatë. Gjykata në Shkallën e Parë na dha të drejtë, edhe në Apel na dhanë të drejtë, që anulohen veprimet përmbarimore dhe shoqëria nuk ka të drejtë. Shpëtuam edhe për herë të dytë, tani për herë të tretë vazhdon përsëri historia. Ka ardhur një përmbarues privat, ka ardhur me korrektesë në fakt dhe ka kërkuar që duhet të lirojmë apartamentin”.

“Më datë 18 ka ardhur Policia e Shtetit dhe përmbaruesi, edhe përfaqësues nga lagja, për të na nxjerrë. Ne nuk kemi qenë në shtëpi, sepse unë kam një problem shëndetësor të familjes dhe kemi qenë realisht në spital. Nuk kishin bërë veprime falë korrektesës së Policisë së Shtetit e cila kishte thënë që meqë ka një hall shëndetësor dhe nuk është e lemë për një herë tjetër dhe duhet të vijnë tani pas 10 ditësh, e kam ultimative që duhet të liroj apartamentin. Në këto kushte, atëherë kush më mbron mua? Theksoj se unë po ju tregoj rastin tim, por po të shikoni vendimin e gjykatës janë edhe 11 banorë të tjerë që janë në të njëjtat kushte, të njëjtin problem”.

Pronari i truallit, Gent Bardhoku, tregon se ai është i pari që ka lidhur kontrata me ndërtuesen, por tani është gjendur përballë konflikteve me qytetarët, të cilët kanë blerë apartamentet që i takojnë atij. Gjykata i ka dhënë të drejtë pronarit të truallit, por tani konflikti social është i pazgjidhur.

“Në vitin 2005 u njoha me djalin e saj. Kishin një shoqëri që quhej EDAL dhe lidhëm një marrëveshje në këmbim të truallit, me një koeficient 29 përqind në atë kohë. Me kalimin e viteve lindën problemet me këtë ndërtuese, që quhet Drita Daçi, që mori përsipër administrimin e shoqërisë. Kjo zonja shiti pjesën time takuese, duke ia shitur personave të tretë. Këtu filluan dhe konfliktet dhe ne hapën një proces gjyqësor duke besuar në shtetin ligjor.”

“Gjykata e Shkallës së Parë mori një vendim pro nesh, që të respektohej kjo kontratë që kishim dhe këtë vendim e la në fuqi edhe Apeli. Problemi lindi prapa, sepse njerëzit kishin blerë apartamente, ishin mashtruar dhe nuk donin të lironin as apartamentet, sepse mendonin se ishin në pronë të tyre. I mirëkuptoj, nuk kam çfarë të them, por normalisht ajo është një pronë që më takon mua dhe këtu jemi në problemin që kanë filluar dhe konfliktet”.

“Në 2011-n kemi filluar proceset gjyqësore me këtë zonjë, pra po bëhen gati 8 vjet. Në 2016-n kemi filluar procese me përmbaruesit, që jam detyruar të ndërroj shumë përmbarues gjatë gjithë ciklit të kërkimit të pronës time, se dikush tërhiqej, dikush nuk donte. Normalisht ne kishim një biznes familjar në atë zonë, të cilin u detyruar që ta mbyllnim për shkak të këtyre problemeve që kishim, për shkak të kërcënimeve që kishim. Jam detyruar që fëmijët e mi t’i largoj nga ky vend, sepse janë të rrezikuar. Ndjehem edhe unë i rrezikuar, edhe për këtë intervistë që po jap, por problemi është ky: dua pronën time, nuk dua t’i hyjë në hak askujt. Ai që ka hyrë në hak, ai që ka mashtruar duhet të mbajë përgjegjësitë e veta, qoftë penale, qoftë morale, qoftë shoqërore”.

“Stop” kontaktoi edhe me ndërtuesen, por ajo vetëm shmangej dhe nuk dha një përgjigje për manovrat në kurriz të qytetarëve. Çuditërisht ndërtuesja Drita Daci vijon e qetë jetën e punën, pa i hyrë gjemb në këmbë./tvklan.al

LAJMET

Të ngjashme

KPT
KPT
UKT
UKT
Doktori