Blendi Fevziu e ka nisur ndryshe emisionin “Opinion” duke dalë edhe nga tema e emisionit për të reaguar mbi një video të publikuar ditën e sotme në rrjete sociale ku shfaqet një furgon i mbushur me emigrantë të paligjshëm nga vendet e Lindjes së Mesme të cilët po transportoheshin drejt Tiranës.

“Në fakt është diçka që më bëri përshtypje sot, dal jashtë emisionit, por do të doja ta bëja publike sërish. Pashë sot pamje të trishta të një grupi emigrantësh me siguri duhet të jenë sirianë ose të kombësive të tjera të Lindjes së Mesme që ishin kapur dhe dolën nga një furgon në Pogradec. Është ky momenti që Policia me të drejtë, në respektim të ligjit, kërkon të ndalojë emigrantët e paligjshëm. Ata largohen, shihet polici që nuk i ndalon dot, vrapojnë për të gjetur shpëtim në rrugët e qytetit.

Këtë video e dhashë për diçka tjetër, pashë një reagim në rrjetet sociale sot shumë neveritës duke i paragjykuar këta njerëz e duke u tallur me mënyrën se si ata vrapojnë nëpër rrugë.

Unë e di që shumë veta kanë lindur pas viteve ’90-të, shumë veta mund t’ju duket qesharake kjo skenë. Kjo është një skenë që për shqiptarët është përdorur shumë shpesh. Të gjithë ata njerëz që qeshin sot mund të dinë që një i afërm i tyre, ndoshta prindi i tyre, vëllai i tyre mund të ketë vrapuar kështu një ditë në rrugët e Italisë apo malet e Greqisë. Duhet ta dinë që sot një kushuriri i tyre mund të jetë poshtë ndonjë kamioni për të shkuar në Britaninë e Madhe si emigrant dhe i ruhet policisë britanike apo asaj franceze po kështu si këta emigrantë. Të fyesh një emigrant edhe pse është në shkelje të ligjit, edhe pse ka vrapuar nga fatkeqësia ai mund të jetë një njeri i shkolluar, mund të jetë një njeri i cili kërkon vetëm të jetojë, jo një jetë më të mirë. Thjesht të jetojë, sepse në Siri nuk jeton dot ose s’ka rëndësi në vendin ku është… T’i përçmosh, t’i tallësh, t’i bësh qesharak në rrjete sociale kjo nuk është as dinjitoze, as normale, as njerëzore e mbi të gjitha është racizëm i pastër dhe racizëm nga ata njerëz që e kanë vuajtur më shumë se çdo pjesë tjetër e Ballkanit racizmin.” /tvklan.al