Prej ditës së sotme, aplikacioni “Klani Im” është i disponueshëm për t’u shkarkuar nga të gjithë në celular për platformat IOS dhe Android. Nga ky aplikacion mund të shikoni televizionin Klan dhe 8 stacione të tjera live në kohë reale pa pagesë.

Gazetari dhe drejtuesi i emisionit Opinion, Blendi Fevziu, u ka rekomanduar të gjithë shikuesve që të shkarkojnë në celular këtë aplikacion.

“Në celularin tuaj mund të shkarkoni aplikacionin Klani Im. Quhet Klani Im në të cilin mund të gjeni gjithë këto televizione, pra Klan HD, Klan Plus, Klan News, ABC, Euronews Albania, Syri Tv, Scan Tv dhe Klan Macedonia, Klan Music, të cilat mund t’i ndiqni live në çdo cep të botës, pa pagesë”, u shpreh Fevziu.

Aplikacioni “Klani im” do të jetë në telefonat tuaj në Shqipëri dhe në mbarë botën nëpërmjet teknologjisë më të fundit të transmetimeve, platformës OTT.

Kjo platformë është një shërbim mediatik që u ofrohet shikuesve kudo që janë nëpërmjet internetit, duke përdorur pajisjet tuaja telefon, tablet, laptop apo kompjuter.

Nëpërmjet këtij shërbimi nuk do të jetë më e nevojshme po ashtu që shikuesit të qëndrojnë të mbërthyer përpara televizorit për të parë programet e preferuara, por ato mund t’i shohin në çdo kohë, kur të dëshirojnë.

Një program direkt apo një serial që shihet në platformën OTT mund të ndalohet dhe të riniset aty ku ishte ndalur. Përmes OTT mund të vihen në regjistrim kanale, programet e të cilave mund të shihen në çdo kohë.

Me këtë platformë, programet e Tv Klan do të shfaqen tashmë jo vetëm në televizorë, por në çdo ekran tjetër të pajisjeve të ndryshme si telefonat smart me sistem Android apo iOS, tablet, laptop apo kompjuter, që tashmë janë në përdorim nga çdo moshë e kategori, por në mënyrë të veçantë nga të rinjtë. /tvklan.al