Në udhëtimet e tij rreth globit, Blendi Fevziu ndan shpesh takime me shqiptarë, edhe në cepat më të largët të botës. Ngulmimi i tyre për ta mikpritur, takuar nuk ka munguar kurrë askund, madje një prej tyre Blendi Fevziu thotë në “Shije Shtëpie” në Tv Klan se nuk do ta harrojë kurrë.

Blendi Fevziu: Historinë më të çuditshme e kam në Filipine, atë s’kam për ta harruar. Isha në një ishull që mbahet një nga ishujt më të  bukur të botës, është shumë i vështirë për t’u arritur sepse duhet të arrish në një aeroport, pastaj nga aeroporti duhet të marrësh një anije sepse ishulli në vetvete nuk ka aeroport. Aty më shkruan dikush, më shkruajtën 2-3 shqiptarë faktikisht që ishin rrotull, por njëri që ishte si më insistuesi tha “jam në një ishull diku nja dy orë larg, hajde dhe këtu”, i thashë “nuk vij dot se unë do iki pasnesër”.

Fevziu tregon se hoteli, për shkak se ishte i madh, i pajiste klientët me një celular që kishte vetëm opsionet “Po” dhe “Jo” për t’i njoftuar ata. Ai merr një telefonatë nga hoteli, që iu duk e çuditshme sepse priste vetëm guidën e zhytjes, e cila kishte edhe 4 orë kohë, por fjalët që dëgjoi nga ana tjetër e linjës ishin në shqip.

Blendi Fevziu: Ai tha ”vëllai, jam ai që të shkruajta, jam këtu”. I thashë “hajde te bari, jam në plazh”. Ishte një histori shumë interesante, ishte nga fshatrat e Librazhdit ose Gramshit, në këtë zonë më duket, Librazhdit mos gaboj, kishte jetuar në Greqi, në një ishull grek, ishte martuar me një filipinase atje, një turiste, ishte kthyer dhe bënte biznes me të atin e asaj vajzës. E kishte ëndërr të ndërtonte një hotel dhe i thashë “si më gjete?” Tha “është edhe një shqiptar tjetër këtu afër që bën një biznes të ngjashëm, edhe ai është martuar me filipinase. E dija që nja 5 hotele të mirë ka ky ishull, shkova te i pari s’ishe, erdha te i dyti të gjeta, do vazhdoja dhe deri te tre të tjerët”./tvklan.al