Blerina Gjylameti ka falenderuar votuesit e saj pasi nuk arriti dot që të siguronte një mandat për legjislaturën e ardhshme.

“Kam një përqafim të madh për secilin prej jush, dhe s’jeni pak, 6148 zemra! Të gjithë ju që më besuat gjënë më të çmuar që një qytetar ka: votën”, shkruan ajo në rrjetet sociale.

Kandidatja e Partisë Socialiste thotë se çdo shprehje besimi është një gur i çmuar në themelin e një Shqipërie më të mirë. Ajo pranon se nga kjo garë nuk ka humbës, por vetëm të fituar.

“Dhe unë e besoj këtë me gjithë zemër. Të gjithë kemi fituar vazhdimësinë në rrugën drejt së ardhmes europiane. Unë personalisht kam fituar zemrat tuaja, respektin tuaj, mbështetjen tuaj, dhe për këtë ju jam thellësisht mirënjohëse”, shkruan ajo.

Një falenderim shkon edhe për kryeministrin Edi Rama.

“11 maji për mua ishte një fitore e një lloji tjetër: një përvojë e vlefshme, një garë sfiduese dhe një rezultat që më mbush me krenari. Faleminderit secilit prej jush. Faleminderit ekipit tim të palodhur, familjes sime të duruar, dhe në veçanti Kryeministrit Edi Rama, për besimin dhe përkrahjen. Sidomos në këto ditë të lodhshme e sfiduese, të mbushura me emocione, ne – më mirë se kushdo tjetër – e kuptojmë sa e vështirë është të mbash bashkë një familje të madhe si Partia Socialiste”, shkruan Gjylameti.

Kandidatja socialiste thotë ndër të tjera se këto zgjedhje i dhanë bindjen e thellë se Partia Socialiste është forca që i duhet vendit në këtë moment historik.

“Zgjedhjet mbaruan. Sovrani foli. Politika për njerëzit vazhdon”, përfundoi ajo.

Kujtojmë se Gjylameti e humbi me një diferencë të ngushtë mandatin në Tiranë me vetëm 148 vota më pak kundrejt koleges socialiste Olta Xhaçka.

Ajo ka kërkuar në KQZ, bashkë me disa kandidatë të tjerë, pamjet filmike të numërimit pasi pretendojnë se vota e tyre është keqlexuar. Megjithatë, teksa emrat e dy kolegëve të tjerë, si Etilda Gjonaj dhe Xhemal Qefalia kanë dalë se janë tërhequr nga kjo kërkesë, nuk flitet e njëjta gjë për Gjylametin.

Nga ana tjetër, Taulant Balla është shprehur se për këto raste, transparencën e bën KQZ-ja në një fazë tjetër./tvklan.al