Blerje votash për zgjedhje, arrestohet sekseri dhe procedohet drejtuesi lokal i LSI



Blerje votash për zgjedhje, arrestohet sekseri dhe procedohet drejtuesi lokal i LSI

10:48 10/04/2021

Policia e Pukës ka goditur një rast të krimeve zgjedhore, duke arrestuar një person dhe ka proceduar në gjendje të lirë një tjetër.

Në pranga ka rënë Vasil Shabani 45 vjeç, i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje. Në makinën e tij tip Nissan u gjetën 5.2 milionë Lekë të vjetra, dy fletë votimi të zgjedhjeve të 25 Prillit dhe një listë me të dhënat personale të 27 qytetarëve.

Për këtë ngjarje është proceduar në gjendje të lirë edhe një zyrtar lokal i LSI-së. Ai është Demir Syla, drejtues i LSI në Pukë. Policia thotë se në biznesin e tij gjeti një fletë të ngjashme me fletën e  votimit, si dhe një listë me emra me numrat e identitetit të personave të shënuar.

Nga hetimet e deritanishme dyshohet se këta persona po hartonin lista me emrat e qytetarëve duke u premtuar para në këmbim të votës.

Ndaj Vasil Shabanit që ishte në rolin e sekserit dhe Demir Sylës janë referuar materialet në Prokurori për veprat penale “Falsifikimi i materialit zgjedhor dhe i rezultateve të zgjedhjeve” dhe “Korrupsioni aktiv në zgjedhje, kryer në bashkëpunim”. /tvklan.al







Të ngjashme