Mehdi Ismaili, banues në fshatin Gur i Zi, në Shkodër, ankohet se prej dy vjetësh është pa energji elektrike. Ai thotë se ka aplikuar për matës, iu hap kontrata, por energjia nuk iu lidh, pasi kabina elektrike rezultoi private. Mehdiu ka shpenzuar rreth 2 milionë lekë për të blerë vetë shtyllat dhe problemin e tij e pohon edhe përfaqësuesi i OSHEE Shkodër, Ylber Mira, i cili thotë se do t’i jepet zgjidhje e shpejtë.

“Unë kërkoj drita! Jam prej dy vitesh në terr. Kam thërritur KESH-in, kanë ardhur dhe më kanë thënë të mos e blej transformatorin sepse kishin ata aty te plepat. Kam shtuar linjën deri aty me 11 shtylla, me forcat e mia.”

Gazetarja – Sa kanë kushtuar?

“40 mijë lekë (të vjetra) një. Kam blerë zilator, ele, tel dhe beton, të gjitha më kanë shkuar rreth 2 milionë lekë (të vjetra), vetëm për të mos ngelur në terr! Tani më thonë që doli transformatori privat.”

Mehdi Ismaili rrëfen kushtet e vështira të jetesës pa energji elektrike, duke ftuar edhe kamerën e emisionit “STOP” brenda shtëpisë së tij. Ai shprehet se në darkë ndez gjeneratorin një orë dhe se për t’u larë ngroh ujin në kusi, si para 100 vitesh.

Gazetarja iu drejtua OSHEE në Shkodër për të komunikuar me shefin e shitjeve, Ylber Mirën, i cili thotë se abonenti ka kërkuar lidhje kontrate me OSHEE dhe kjo gjë ka ndodhur, pasi i është vendosur edhe një matës më datë 16.06.2016.

“Por pika e lidhjes së energjisë që merrte ishte nga një kabinë private dhe vetë komuniteti i asaj zone i ka bërë ndërprerjen e energjisë. Ne jemi të detyruar tani të zgjidhim problemin, përderisa kemi pranuar një kontratë energjie. Brenda javës, ne do t’i japim abonentin energji elektrike.”

Gazetarja – Ju i keni lidhur kontratën por nuk i keni siguruar pikën e lidhjes, e cila është private.

“Pika e lidhjes i është siguruar sepse është lidhur energjia elektrike nga kjo kabinë.  Karshi personave që kanë bërë montimin e këtij matësi është propozuar masa disiplinore. Ky abonent ka ngelur pa energji edhe pse janë montuar matësit, prandaj do të gjendet përgjegjësia.”

Jemi në vitin 2017 dhe ende kemi probleme me energjinë elektike, e habitshme por e vërtetë! Mehdi Ismaili së shpejti do të pajiset me energji elektrike, por ato para që ka shpenzuar për ta bërë vetë këtë lidhje kush do t’ia rimbursojë?!/tvklan.al