Marrëveshja Kosovë-Serbi pritet të përmbyllet brenda këtij viti. Është ky parashikimi i gazetës serbe Blic, që citon disa burime diplomatike.

Sipas të përditshmes në Beograd, pikënisja e ujdisë historike mes dy vendeve mund të jetë pikërisht Samiti Ballkanit Perëndimor i 1 Korrikut në Paris, i thirrur nga presidenti Emmanuel Macron dhe kancelarja Angela Merkel.

Takimi në kryeqytetin francez mund të jetë rasti më i mirë për të hartuar një kornizë, që do të shërbejë si një shtysë për zgjidhjen përfundimtare.

Sipas Blic, palëve në këtë mënyrë do t’u jepej kohë disa muaj, për të negociuar, ndryshuar apo shtuar ndonjë pikë të dokumentit të dalë nga Samiti i Parisit, për t’ia paraqitur më pas qytetarëve në referendum.

Nëse një skenar i tillë do të realizohej, referendumi në Serbi do të mund të mbahej në pranverën e vitit 2020, bashkë me zgjedhjet e parlamentare serbe.

Megjithatë sipas të përditshmes serbe, plani i Francës dhe Gjermanisë për të hartuar një dokument të përbashkët mund të dështojë. Kjo pasi vetë Samiti i Parisit mund edhe të anulohet për shkak të krisjes së marrëdhënies Macron-Merkel, rreth kandidatit për president të Komisionit Europian.

Tv Klan