Paraqiten në punë kryebashkiaku i ri dhe i vjetri

Protestuan për 8 orë, aq sa zgjat orari zyrtar i punës, përpara bashkisë së Devollit.

Më pas, ish kryetari Bledjon Nallbati dhe mbështetësit e opozitës u larguan me premtimin se do të mblidhen çdo ditë përpara këtij institucioni deri sa për drejtimin e tij të vendosin qytetarët përmes një procesi zgjedhor legjitim.

Në ikje në mënyrë simbolike i lanë kryetarit të ri Eduard Duro në shkallët e bashkisë dhe një dyshek. Kjo pasi, sipas tyre, ai është ngujuar në zyrën ku qëndroi me mbështetjen e policisë.

Pak minuta më vonë doli Eduard Duro, të cilit i është dashur të qëndrojë në zyrë më tepër se orari zyrtar.

Dita nisi me tensione që në mëngjes.

Në ditën e parë të punës si kryebashkiaku i Devolli Duro hyri në bashki në orën 6.30 të mëngjesit.

Gjatë gjithë kohës si jashtë ashtu dhe brenda godinës kishte prani të shtuar të forcave policore të thirrura nga Duro për të garantuar mbarëvajtjen e punës .

Përpara gazetarëve u shfaq optimist se situata do të normalizohet dhe paraardhësi i tij do e njohë realitetin paszgjedhor. Ai tha se një pjesë e punonjëseve ishin në detyrë dhe u bëri thirrje edhe të tjerëve të vazhdonin normalisht punën.

Kjo situatë përplasi me deklarata dhe përfaqësuesit e lartë të opozitës dhe shumicës.

Lulzim Basha tha se pushteti i paligjshëm i 6% po uzurpon me dhunë qeverisjen lokale, kundër vullnetit të popullit sipas tij.

“Ky regjim kriminal dhe plaçkitës po hyn në rrugën e verbër të përplasjes me popullin e tij. Sot hajdutët në pushtet ndjehen të mbrojtur se kanë polici speciale, gaz lotsjellës dhe mercenarë, por nesër do të kenë fatin që meritojnë hajdutët dhe banditët!”

Mazhoranca reagoi me Taulant Ballën, i cili shpërndau një certifikatë të nxjerrë këtë të hënë nga Bashkia Devoll, si provë se puna aty vijon normalisht.

Bashkia Devoll me Këshillin Bashkiak dhe Kryetarin e Bashkisë të sapozgjedhur. Vijon punën normalisht, duke ofruar shërbimet bazë për qytetarët, sepse populli sovran i ka zgjedhur institucionet e veta përfaqësuese në pushtetin vendor të bëjnë detyrën. Për llafe dhe zhurmë kemi LB që nuk ka nevojë të zgjidhet edhe brenda të vetëve”.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha vuri bast pas zgjedhjeve se kryebashkiakët e opozitës nuk do t’i lëshojnë zyrat deri në mbajtjen e zgjedhjeve të ligjshme. Ndërsa kryebashkiakët e rinj të bashkive që deri tani janë drejtuar nga përfaqësues të opozitës, po presin konstituimin e Këshillave Bashkiakë për të marrë detyrën.

Tv Klan