Aldi Lleshaj është autori i plagosjes me armë të efektivit të policisë, Nikolin Gjergji. 20 – vjeçari nga Kurbini është plagosur me snajper në këmbë nga forcat RENEA dhe është dërguar drejt Spitalit Ushtarak.

Menjëherë pas ngjarjes së rëndë, të ndodhur mëngjesin e sotëm në Fushë – Gjorm të Lezhës, zona u rrethua nga forca të shumta policie, si dhe forcat RENEA. Ishin këto të fundit që bënë të mundur neutralizimin e 20 – vjeçarit, i cili ishte i armatosur dhe po kërcënonte policinë.

Ndërkohë, efektivi i policisë Nikolin Gjergji ndodhet në spitalin e Traumës në kryeqytet dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Ai u vizitua nga Ministri i Brendshëm, Saimir Tahir dhe Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Ngjarja:

Rreth orës 09:20 të mëngjesit të sotëm, në autostradë afër Kryqëzimit të Arbërisë, nën kërcënim e armës Aldi Lleshaj grabiti makinën “Porsche” Cayene, me targa AA 870 II.

Kjo bëri që efektivët e policisë së Lezhës të viheshin në ndjekje të makinës së vjedhur.

Pikësisht në këtë moment, autori, kur ka parë mjetin e policisë ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të tyre, duke plagosur me një plumb në kokë punonjësin e policisë, Nikolin Gjergji./tvklan.al