Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, kërkoi nga Kosova dhe Serbia që të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Gjatë një konference për media në Vjenë, së bashku me homologun e tij austriak, Alexander Schallenberg, ai tha se procesi i dialogut në Bruksel, që mbështetet nga Shtetet e Bashkuara, është mekanizmi i vetëm që Kosova dhe Serbia të normalizojnë raportet.

“Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja është mekanizmi i vetëm i zbatueshëm, rruga e vetme përpara. Ne duhet të shohim përpjekje në mirëbesim dhe përpjekje konstruktive nga të dyja palët, nga Kosova dhe Serbia, për të stabilizuar raportet e tyre dhe të lëvizim drejt kësaj rruge. T’i mbajnë tensionet në nivel të ulët, të rrisin koordinimin, të rrisin transparencën me partnerët ndërkombëtarë dhe të zbatojnë të gjitha zotimet e dialogut”.

Blinken tha sot se Ballkani Perëndimor është çështje e cila zë vend të veçantë në administratën e presidentit Joe Biden.

“Rajoni i Ballkanit Perëndimor është diçka që e kemi shumë afër zemrave tona dhe në veçanti presidenti Biden, sepse për presidentin dhe për mua, kur unë fillova (punën) në ’90-n, fokusi i madh i botës ishte në Ballkan, në Bosnjë e në Kosovë, dhe një gjë që nuk na duhet, që Evropës nuk i duhet, dhe veçanërisht njerëzve të Ballkanit Perëndimor nuk u duhet, është kthimi prapa”.

Më 19 mars Kosova dhe Serbia janë ftuar në një raund të ri dialogu në Bruksel, ku në axhendë do të jenë diskutimet për normalizimin e raporteve dhe zbatimin e aneksit të marrëveshjes.

Klan News