Sekretari amerikan i Shtetit do të mbajë takime të nivelit të lartë për të siguruar ndihmën në Gaza

Sekretari i Shtetit Antony Blinken po udhëton drejt Lindjes së Mesme ku do të takohet me zyrtarë izraelitë e palestinezë pas vendosjes së armëpushimit.

Ai do të vizitojë Izraelin, Bregun Perëndimor, Jordaninë dhe Egjiptin për të zhvilluar bisedime të nivelit më të lartë personal mbi luftën që shpërtheu në fillim të këtij muaji.

Qëllimi kryesor i Blinken do të jetë të mbështesë armëpushimin me shpresën që ajo të qëndrojë mes dy vendeve në një plan afatgjatë, të theksojë nevojën për një fund të dhunës brenda qyteteve dhe të hedhë bazat paraprake për një kthim në bisedimet e paqes.

Para nisjes në një intervistë për CNN, Sekretari amerikan u shpreh se përpjekja e udhëhequr nga Biden dha rezultat, duke siguruar një armëpushim pas 11 ditësh.

“Mendoj se është detyrë e të gjithëve që të përpiqemi të bëjmë kthesën për të filluar ndërtimin e diçkaje më pozitive, dhe çfarë do të thotë kjo është që palestinezët dhe izraelitët të jetojnë të barabartë. Ne duhet të fillojmë të ndërtojmë përsëri në mënyra konkrete dhe të ofrojmë një shpresë të mirëfilltë, perspektivë, mundësi në jetën e njerëzve”, është shprehur Antony Blinken.

Në një deklaratë, administrata e presidentit Biden ka bërë të ditur se Blinken do të punojë me partnerë rajonalë për Gazen.

Ai nuk do të takohet me asnjë nga Hamasi të cilën SHBA-ja e ka cilësuar si  një organizatë e huaj terroriste. Sekretari Blinken fajësoi militantët për luftimet e fundit, duke thënë se Hamasi nuk i ka sjellë asgjë tjetër popullit palestinez, përveç shkatërrimit.

Klan News