I dërguari amerikan Chollet pret stabilizimin e rajonit

Në fund të vizitës në Beograd Chollet deklaroi se ishte sekretari i shtetit Blinken që i kërkoi atij të ishte në Ballkanin Perëndimor në fillim të vitit, në një moment vendimtar për këtë rajon. Sipas Chollet ky rajon ka shumë potencial zhvillimi ekonomik, por edhe shumë probleme që mund ta kërcënojnë stabilitetin. SHBA sipas këshilltarit të lartë të departamentit të shtetit, Derek Chollet besojnë se këtë këtë vit mund të arrihet një kompromis ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës duke marrë për bazë propozimin franko-gjerman.

Derek Chollet: Hapi i parë është që Kosova dhe Serbia të normalizojnë marrëdhëniet pa e njohur plotësisht njëra-tjetrën, siç kanë bërë vendet e tjera. Të paktën si hap fillestar, kjo është një mënyrë për ta vendosur Kosovën dhe Serbinë në rrugën e integrimit në BE.

Për të arritur këtë, argumentoi Chollet, të dyja palët duhet të tregojnë gatishmëri për kompromis.

Derek Chollet: Ndërsa serbët përfundimisht do të duhet të pranojnë një nivel të sovranitetit, Kosova duhet t’u japë qytetarëve të saj serbë autonomi më të madhe, për lejimin e funksionimit te një bashkësie formale të komunave me shumicë serbe në Veri të vendit. Për këtë të fundit unë i thash kryeministrit Kurti se ka një urgjencë të madhe për ta krijuar atë si një çështje kyçe që duhet të zgjidhet në përputhje me kushtetutën e Kosovës.

Chollet i shprehu presidentit serb Vuçiç shqetësimin e Uashingtonit për aktivitetin e grupit “Wagner Group” që po rekruton ushtarë në Serbi për të luftuar në Ukrainë. Ai i bëri thirrje Serbisë qe të vendosë menjëherë sanksione ndaj Rusisë.

Klan News