Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken u takua të martën në Bruksel me 29 homologët e tij të NATO-s, pas një periudhe 4 vjeçare marrdhëniesh të vështira, kohë kur Uashingtoni e portretizonte aleancën si të vjetëruar, të ndarë dhe në krizë.

Kjo është vizita e parë e një zyrtari të lartë amerikan në selinë e NATO-s që kur Presidenti Joe Biden mori detyrën në janar. Zoti Blinken tha se aleanca ndodhej në një moment të rëndësishëm dhe se mund të dalë më e fortë pas mosmarrëveshjesh të brendshme lidhur me Turqinë dhe gazsjellësin rus.

Ministrat e jashtëm të NATO-s lëshuan një deklaratë duke rikonfirmuar “lidhjen e qëndrueshme transatlantike mes Evropës dhe Shteteve të Bashkuara, me NATO-s në zemër të saj”. Krerët e aleancës pritet të takohen më vonë këtë vit me Presidentin Biden.

Pas katër vitesh fërkime me Uashington nën administratën Trump, i cili e ka quajtur aleancën të vjetëruar duke e kritikuar lidhur me shpenzimet për mbrojtjen, anëtarët evropianë të NATO-s e kanë mirëpritur ndryshimin e tonit nga ana e administratës së re, duke thënë se mendimi i tyre rreth strategjisë së aleacës, po merret sërish në konsideratë.

Takimi me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg

Në vizitën e tij të parë në selinë e NATO-s në Bruksel Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken rikonfirmoi angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj aleancës.

Ai e quajti NATO-n një “gur themeli të paqes, prosperitetit e stabilitetit për komunitetin trans-Atlantik prej më shumë se 70 vitesh”.

Sekretari i Shtetit Antony Blinken theksoi të martën angazhimin e Shteteve të Bashkuara për të rindërtuar e rigjallëruar aleancën ushtarake transatlantike të NATO-s.

Në vizitën e tij të parë në selinë e NATO-s në Bruksel, zoti Blinken tha se aleanca ndodhet në një moment të rëndësishëm në përballjen me kërcënimet në të gjithë botën.

“Kam ardhur në Bruksel sepse Shtetet e Bashkuara duan të rindërtojnë partneritetet tona para së gjithash me aleatët tanë të NATO-s”, u tha zoti Blinken gazetarëve ndërsa takohej me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg.

I pyetur në lidhje me ndonjë tërheqje të mundshme nga Afganistani, zoti Blinken tha se SHBA ndodhet ende në një proces rishikimi të mundësive për t’u tërhequr dhe se për këtë do të dëgjonte dhe konsultohej me aleatët. Gjatë dy ditëve të ardhshme në Bruksel ministrat e jashtëm të NATO-s do të diskutojnë edhe çështjen e Afganistanit.

“Ne kemi hyrë së bashku, jemi përshtatur së bashku dhe kur të jetë koha e duhur, do të largohemi së bashku”, tha zoti Blinken lidhur me përfshirjen e Perëndimit në vend.

I pyetur në lidhje me projektin Nord Stream 2, zoti Blinken tha se gazsjellesi që po ndërtohej nga Rusia në Gjermani binte ndesh me interesat e vetë Bashkimit Evropian dhe mund të minonte Ukrainën.

“Presidenti Biden ka qenë shumë i qartë duke thënë se ai mendon se gazsjellësi është një ide e keqe, e keqe për Evropën, e keqe për Shtetet e Bashkuara. Në fund të fundit është në kundërshtim me BE-në dhe qëllimet e veta të sigurisë energjetike. Ka potencialin të minojë interesat e Ukrainës, Polonisë, e një numri partnerësh të tjerë të ngushtë ose aleatë. Dhe jam i sigurt se do të kem rastin ta përsëris këtë duke përfshirë ligjin në Shtetet e Bashkuara, i cili na kërkon t’u vendosim sanksione kompanive që marrin pjesë në përpjekjet për të përfunduar gazsjellesin”.

Nord Stream 2 do të anashkalojë Ukrainën, një aleat perëndimor, duke i hequr potencialisht mundësinë për të përfituar nga tarifat e vlefshme të tranzitit. Projekti gjithashtu do të rrisë varësinë e Evropës për energji nga Rusia dhe do të konkurrojë me dërgesat e gazit natyror të lëngshëm që vijnë nga SHBA.

Rreth 95 për qind e gazsjellësit është ndërtuar tashmë dhe ai mund të përfundojë deri në shtator sipas ekspertëve që monitorojnë të dhënat lidhur me projektin. Shtetet e Bashkuara druhen se Rusia mund ta përdorë Nord Stream 2 si avantazh për të dobësuar shtetet e BE-së duke rritur varësinë nga Moska.

TAKIME TË TJERA

Gjatë qëndrimit në Evropë, kryediplomati amerikan do të takohet me Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe shefin e politikës së jashtme të bllokut Joseph Borrell.

Departamenti i Shtetit tha se mes të tjerash do të diskutohet edhe mbi përpjekjet e rimëkëmbjes ekonomike si rezultat i pandemisë, si dhe trajtimi i “sfidave globale që paraqesin Irani, Rusia dhe Kina”.

Për sa i përket Iranit, zoti Reeker tha se kryediplomati Blinken do të konsultohet me kolegët evropianë lidhur me perspektivat që Uashingtoni dhe Teherani të kthehen në mënyrë reciproke tek marrëveshja e nënshkruar në vitin 2015 që kufizon programin bërthamor iranian në shkëmbim të zbutjes së sanksioneve.

Të dy vendet, Shtetet e Bashkua të cilat braktisën marrëveshjen në vitin 2018 gjatë admistratës Trump, dhe Irani, i cili reagoi duke hequr dorë nga angazhimet e marra, kanë shprehur gatishmërinë për të vëzhguar edhe një herë marrëveshjen.

Pjesa përfundimtare e axhendës së udhëtimit të zotit Blinken përfshin bisedime dypalëshe me Zëvendës Kryeministrin dhe Ministren e Jashtme të Belgjikës Sophie Wilmès.