Tel Avivi merr mbështetje financiare, por edhe humanitare nga Uashingtoni.  Edhe pse qëndrim i njëanshëm, Republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve në SHBA miratuan një projektligj i cili parashikon 14.5 miliardë dollarë financim për Izraelin. Kjo vendimarrje kërkon të zhvendosë fondet e qeverisë nga të tjera prioritetet, ndaj Joe  Biden ka vendosur veton për miratimin e mëtejshëm të tij.

Ndërkohë mbështetja diplomatike në terren nuk po mungon. Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken ndodhet në Izrael për herë të dytë që nga fillimi i luftës ku është takuar me kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe zyrtarë të tjerë të lartë izraelitë.

Pas takimit me Netanyahun ai është takuar edhe me presidentin izraelit Isaac Herzog në Tel Aviv. Gjatë takimit me të, Blinken tha se SHBA qëndroi në krah të Izraelit, por bëri thirrje që civilët e Gazës të mbrohen. Ai shton se duhen lejuar më shumë ndihmat humanitare në Gaza.

“Ne mbetemi të bindur se Izraeli ka jo vetëm të drejtën, por edhe detyrimin për të mbrojtur veten dhe për të bërë gjithçka në fuqinë e tij për të siguruar që 7 tetori të mos ndodhë më kurrë. Është shumë e rëndësishme që kur bëhet fjalë për mbrojtjen e civilëve të cilët e kanë gjendur veten mes bombardimeve të Hamasit, të bëhet gjithçka për t’i mbrojtur ata dhe për t’i ofruar  ndihmë atyre që kanë aq nevojë, të cilët nuk janë në asnjë mënyrë përgjegjës për çfarë ndodhi më 7 tetor.”

Blinken ka theksuar gjithashtu se duhet të ndërmerren një sërë hapash të rëndësishëm për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit dhe përhapjen në zona të tjera në rajon. Frika është rritur se në këtë konflikt mund të përfshihet edhe grupi Hezbollah i cili sulmoi  të enjtjen pozicionet izraelite në veri ndërsa ushtria izraelite u kundërpërgjigj me avionë luftarakë dhe helikopterë.

Lideri i grupit të Hezbollahut mbajti fjalimin e parë që kur nisën luftimet mes grupit të Hamasit dhe ushtrisë së Tel Avivit. Duke folur për situatën Hassan Nasrallah u shpreh se Izraeli mund t’i kthejë robërit e mbajtur në Gaza përmes negociatave.

Nasrallah  u shpreh  se Hezbollahu u bë pjesë e kësaj beteje më 8 Tetor, një ditë pasi Hamasi filloi sulmin e tij të befasishëm në jug të Izraelit ndërsa konfirmoi se 57 luftëtarë janë vrarë deri më tani.

Ai u shpreh se ajo që po ndodh në Gaza tregon marrëzinë dhe paaftësinë e Izraelit. Udhëheqësi i Hezbollahut  ka bërë përgjegjëse për luftën SHBA-në ndërsa theksoi se Izraeli po përdoret për interesat e Uashingtonit.

Klan News