Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka uruar 109-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.

Blinken thotë se miqësia e thellë dhe e qëndrueshme mes dy shteteve daton më shumë se një shekull më parë që kur Presidenti Woodrow Wilson mbrojti me forcë pavarësinë e Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1919.

“Që nga ajo kohë, shqiptarët kanë demonstruar forcë dhe qëndrueshmëri të madhe duke hedhur poshtë shtypjen e një diktature komuniste dhe duke ndërtuar një demokraci të përkushtuar ndaj tolerancës, të drejtave të njeriut dhe integrimit evropian”, thotë Blinken sipas të cilit, Shqipëria e ka demonstruar këtë frymë përsëri këtë vit duke hapur dyert për afganët në nevojë, njësoj siç bëri për strehimin e grupeve hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Në vitin 2021, ne shënuam 30 vjet të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike, duke reflektuar mbi gjithçka atë që amerikanët dhe shqiptarët kanë arritur së bashku që nga viti 1991. Sot ne jemi aleatë brenda NATO-s dhe vitin e ardhshëm do të shërbejmë së bashku në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të mbështetur institucionet demokratike të Shqipërisë, reformat në drejtësi e ato ekonomike dhe të ardhmen në Bashkimin Evropian”, thuhet më tej në letrën e Blinken.

Sekretari i Shtetit pret që miqësia mes dy vendeve të thellohet ndërsa thotë se SHBA-ja “mbetet krenare që quan Shqipërinë mik, partner dhe aleat”./tvklan.al