Një mesazh urimi për ditën e Pavarësisë së Kosovës ka ardhur edhe nga Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken. Në një deklaratë ai shprehet krenar për rolin që SHBA ka në Kosovë, ndërsa thotë se kjo e fundit ka bërë hapa të mëdhenj për t’u zhvilluar.

Blinken përshëndet vendosjen e marrëdhënieve me Izraelin dhe përgëzon përpjekjet për të pasur marrëdhënie të normalizuara me Serbinë. Për këtë të fundit, Blinken thotë se duhet një marrëveshje gjithëpërfshirëse e që për t’u arritur ka nevojë për kompromis nga të dyja palët.

“Në emër të qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, uroj Kosovën për 13-vjetorin e pavarësisë si një shtet sovran dhe i pavarur. Shtetet e Bashkuara janë krenare për rolin e saj të hershëm dhe të vazhdueshëm në mbështetjen një Republike të pavarur të Kosovës për t’u zhvilluar në një vend multietnik, gjithëpërfshirës dhe demokratik. Kosova ka bërë hapa të sigurtë drejt një të ardhmeje më të begatë, të qëndrueshme dhe të sigurtë. Ne përgëzojmë vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Izraelin si dhe përgëzojmë përpjekjet për të vendosur marrëdhënie të normalizuara me Serbinë. Arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse për njohjen e ndërsjelltë do të kërkojë që të dyja palët të demonstrojnë fleksibilitet dhe vullnet për kompromis. Shtetet e Bashkuara vlerësojnë lidhjen e fortë mes dy vendeve tona dhe do të vazhdojmë të mbështesim Kosovën drejt integrimit të saj Euro-Atlantik. Uroj siguri dhe shëndet për të gjithë popullin e Kosovës në një kohë që punojnë sëbashku për të kaluar sfidën që paraqet pandemia e Covid-19”, thuhej në deklaratën e Blinken. /tvklan.al