Sekretari i Shtetit: Pres që të punoj me ju gjatë mandatit tuaj të tretë si Kryeministër

Sekretari i Shtetit  Antony Blinken ka marrë kohë dhe mesazhin e urimit për fitoren në zgjedhje ja ka nisur kryeministrit Rama pasi ka përfunduar procesi i ankimimit të këtij procesi në KQZ. Zgjedhjet e 25 Prillit ai i vlerëson si paqësore e që për të janë tregues i gatishmërisë së Shqipërisë për të hapur negociatat e anëtarësimit me BE.

Blinken shpreh dhe gatishmërinë e tij për të punuar me qeverinë “Rama 3” për reformat shtetforcuese përfshire dhe Reformën në Drejtësi.

“Urime për ju dhe partinë tuaj për suksesin tuaj elektoral. Unë gjithashtu dua të përgëzoj popullin e Shqipërisë që, me gjithë kufizimet e pandemisë COVID-19, ushtroi të drejtat e tyre themelore në zgjedhjet e 10-të kombëtare të vendit që nga rënia e komunizmit.

Unë pres që të punoj me ju gjatë mandatit tuaj të tretë si Kryeministër për të forcuar më tej bashkëpunimin tonë mbi demokracinë dhe mbrojtjen, si dhe tregtinë dhe investimet. Ne do të vazhdojmë të mbështesim Shqipërinë ndërsa punon për të forcuar shtetin e së drejtës, për të përmirësuar llogaridhënien e qeverisë dhe për të kryer reformën në drejtësi. Përmes këtyre zgjedhjeve paqësore, Shqipëria ka demonstruar më tej gatishmërinë e saj për të hapur negociatat e pranimit në BE”.

Nuk mungon as vlerësimi për bashkëpunimin për stërvitjen e përbashket ushtarake “Defender 21”.

Shqipëria është një Aleate e fortë e NATO-s dhe ne ju përgëzojmë për përparimin tuaj drejt Betimit të Uellsit. Ne jemi mirënjohës për bashkëpunimin tonë në fushën e mbrojtjes dhe e vlerësojmë shumë Shqipërinë për pritjen e Defender 21“.

Letrën e urimit Sekretari Amerikan i Shtetit e mbyll me inkurajimin se në bashkëpunim me SHBA Shqipëria mund të përballojë kriza që kanë prekur të gjithë globin si përgjegjësi për të ndërtuar një të ardhme paqësore të bazuar në lirinë dhe prosperitetin për të gjithë.

Tv Klan