Sekretari i Shtetit pyetet nga kongresmeni republikan

Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken ka folur për herë të parë publikisht pas vendimit të tij për të shpallur “non grata” ish-kryeministrin Sali Berisha. Ai është pyetur nga një kongresmen republikan në një seancë të komitetit të çështjeve të jashtme për politikat që do të ndjekë qeveria amerikane në arenën ndërkombëtare.

“Ne vijojmë të shohim përtej kufijve rreth atyre të cilët janë të përfshirë në aktivitete korruptive, ata që nënvlerësojnë të drejtat e njeriut apo që sfidojnë parimet e demokracisë. Në rastin e tij ne patëm një çështje të cilën e zhvilluam nëpërmjet një procesi normal, përfshirë avokatët. Do të isha i lumtur ta ndaja me ju nëse do të ishte dobishme se për çfarë flitet ekzaktësisht”.

Kongresmeni Lee Zedlin e pyeti nëse kishte ndonjë informacion që mund të bëhej publik ku u bazua ky vendim. 

“S’kam çfarë të ndaj me ju tani, por do të doja që mund ta ndajmë me ju dhe me këdo që është i interesuar. Anëtarët janë të lutur të vijnë në zyrën tonë të çështjeve legjislative dhe ne do të sigurohemi që ju merrni informacione. E dyta, sa i takon medias iu lutem të vini tek zyra e zëdhënësit të punëve të jashtme dhe ne do të sigurohemi që në përputhje me detyrimet që kemi, atë informacion ta ndajmë me ju”.

Berisha e akuzon Blinken se e ka marrë vendimin pas lobimit të multimiliarderit George Soros, por Blinken thotë se nuk e ka takuar atë.

“Unë jo, por nuk mund të flas në emër të të gjithë Departamentit të Shtetit, por unë jo!”

Ish-kryeministri Sali Berisha i ka quajtur të pabaza akuzat e Blinken dhe ka vendosur që çështjen ta çojë në gjykatën e Parisit. 

Tv Klan