Pritet në Rinas nga Igli Hasani, takime me Begajn e Ramën

Sekretari amerikan i Shtetit, Antoni Blinken ka shkelur për herë të parë tokën shqiptare paraditen e kësaj të enjte.

Sekretari i Shtetit është pritur në aeroportin “Nënë Tereza” nga ministri i Jashtëm, Igli Hasani, dhe nga ish-ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim.

Në një postim në rrjetet sociale ministri Hasani theksoi rëndësinë e partneritetit të bashkëpunimit strategjik të Shqipërisë me SHBA-në aleatin e kahershëm, miqësi që vetëm sa do të forcohet, i ndërtuar mbi një themel të fortë mes dy vendeve dhe popujve tanë.

Në fokus të vizitës së shefit të diplomacisë amerikane ka qenë edhe reforma në drejtësinë shqiptare ku një rol të veçantë kanë luajtur instucionet amerikane me ekspertët e OPDAT, por edhe asistencën e FBI.

Sipas ambasadës amerikane Sekretari i shtetit Blinken u takua me drejtues të sistemit të drejtësisë duke ju dhënë mbështetje për misionin e tyre në reformimin e gjyqësorit.

Po ashtu vizita ka në qendër stabilitetin rajonal ku zënë vend parësor diskutimet rreth tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë me ndalimin e dinarit serb. Vizita e Blinken erdhi në prag të samitit në kryeqytetin shqiptar për Ukrainën dhe atij për integrimin e rajonit në BE ku SHBA-të kanë lobuar për përshpejtimin e këtij procesi.

Blinken  ka vlerësuar mbështetjen e Shqipërisë gjatë krizës afgane, duke strehuar refugjatët afganë.

Mbi 1 mijë forca policore, mes tyre dhe ato elitë të RENEA-s kanë siguruar institucionet kryesore pranë zonës së Kryeministrisë, në zonën e Kuvendit dhe të korpusit universitar si dhe në rrugët hyrëse e dalëse të Tiranës.

Pas vizitës së tij në Tiranë, Blinken do të shkojë në Gjermani për Konferencën e Sigurisë në Mynih.

Klan News