Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken arrin të hënën në Bruksel për takime që Departamenti i Shtetit thotë se synojnë forcimin e lidhjeve me aleatët e NATO-s dhe partneritetin në çështje të tilla si ndryshimi i klimës, antiterrorizmi dhe lufta kundër pandemisë.

Zoti Blinken do të marrë pjesë në një takim të ministrave të jashtëm të NATO-s të martën dhe të mërkurën dhe do të zhvillojë bisedime me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg.

“Do të jetë një mundësi për sekretarin dhe ministrat e jashtëm që të diskutojnë mbi nismën NATO 2030”, u tha gazetarëve Ndihmës Sekretari i Shtetit në detyrë, Philip Reeker, në prag të nisjes së zotit Blinken. “Propozimet për këtë nismë, shqetësimet për Kinën dhe Rusinë, si dhe ndryshimet klimatike, siguria kibernetike, kërcënimet hibride, luftimi i terrorizmit, siguria e energjisë – natyrisht edhe pandemia globale si dhe sfida të tjera të përbashkëta”, do të jenë në axhendën e sekretarit të shtetit, tha ai.

Pas katër viteve të politikës së jashtme nën ish-Presidentin Donald Trump që u përqendrua vetëm tek përparësia e interesave amerikane, zoti Reeker tha se sekretari Blinken do të mbajë një fjalim në Bruksel ku do të paraqesë angazhimin për “rindërtimin dhe rigjallërimin e aleancave” duke e vënë theksin tek rëndësinë e NATO-s.

“Ne e dimë që jemi më të fortë dhe më të aftë për të kapërcyer sfidat kur i përballojmë së bashku. Ne do të modernizojmë aleancat tona dhe do t’i riparojmë ato kur është e nevojshme”, tha zoti Reeker.

Vizita e sekretarit Blinken përfshin gjithashtu një takim me Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian (BE) Josep Borrell. Departamenti i Shtetit tha se rendi i ditës përfshin përpjekjet për rimëkëmbjen ekonomike në përgjigje të pandemisë dhe trajtimin e “sfidave globale që vijnë nga Irani, Rusia dhe Kina”.

Në mënyrë të veçantë, në lidhje me Iranin, zoti Reeker tha se diplomati i lartë amerikan do të konsultohet me kolegët e BE-së në lidhje me mundësitë që Shtetet e Bashkuara dhe Irani të kthehen reciprokisht në marrëveshjen e nënshkruar në vitin 2015 që kufizonte programin bërthamor të Iranit në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.

Si Shtetet e Bashkuara, të cilat dolën nga marrëveshja nën Presidentin Trump në vitin 2018, ashtu edhe Irani, i cili u kundërpërgjigj duke u larguar nga angazhimet e tij, kanë shprehur gatishmëri për ta zbatuar edhe një herë marrëveshjen, por secili ka sinjalizuar se pala tjetër duhet të fillojë e para.

Pjesa e fundit e udhëtimit të zotit Blinken janë bisedimet dypalëshe me Zëvendës Kryeministren dhe Ministre e Jashtme belge Sophie Wilmès./VOA