Në datën 3 Qershor emisioni “Stop” transmetoi rastin e një ndërtimi pa leje në zonën e kurorës së gjelbër në fshatin Pishaj, në Gramsh nga ana e shtetasit Hamit Lumshi.

Ky i fundit kishte aplikuar për një leje riparimi në Zyrën e Urbanistikës Gramsh, por më pas nisi ndërtimin e një godine të re pa leje. Drejtori i Zyrës së Urbanistikës në bashki, Ali Cohodari, tha se nuk ishte në dijeni për këtë rast dhe na drejtoi tek IMT-ja, që kontrollon nëse qytetarët zbatojnë kriteret e lejes së dhënë.

Kryeinspektori Alban Rrodhe u shpreh se do ta verifikojë situatën dhe do të marrë masa. Sipas asaj që na u tha më 3 Qershor, objekti do të prishej dhe personi do të ndiqej penalisht. Gazetarja e “Stop” u rikthye në Gramsh dhe priti për të takuar kryeinspektorin e IMT-së Alban Rrodhe.

Gazetarja: Përshëndetje zoti Alban, si jeni? Odeta jam.

Kryeinspektori Alban Rrodhe: Mirë. Si je ti?

Gazetarja: Kam ardhur tek zyra juaj.

Kryeinspektori Alban Rrodhe: Edhe sot jam me leje, sepse kam babin në spital në Tiranë.

Gazetarja: Të shkuara babit.

Kryeinspektori Alban Rrodhe: Faleminderit!

Gazetarja: Thjeshtë sa herë vjen emisioni “Stop”, juve jeni po me leje.

Kryeinspektori Alban Rrodhe: Jo, jo absolutisht! Hajde vërtetoje!

Gazetarja: Në çfarë ore vini në Gramsh?

Kryeinspektori Alban Rrodhe: Afërsisht në orën 3.

Gazetarja: Do të pres, ok.

Kryeinspektori Alban Rrodhe: Ok, faleminderit! Rrofsh!

Ndonëse kishte përfunduar orari zyrtar, Kryeinspektori Alban Rrodhe pret gazetaren në orën 17:00 në zyrën e tij, duke e nisur intervistën me një ndjesë publike.

Dua t’ju kërkoj shumë ndjesë se u bënë dy herë që ju vini për të njëjtin problem, dhe nuk më gjeni në zyrë. Përpos kësaj, sot ju lashë edhe të prisnit, por kam qenë me leje sepse kam pasur arsye familjare. Për sa i përket rastit të Hamitit, unë si kryeinspektor nuk kam konstatuar dhe nuk e kam parë atë ndërtim pa leje. Në momentin që jam informuar nga emisioni juaj, menjëherë të nesërmen kam shkuar në objekt dhe kam konstatuar një ndërtim pa leje. Në këto kushte bëra menjëherë procesverbalin e konstatimit dhe procesverbalin e pezullimit. Nuk e di pse jeni kapur tek kjo puna e 10-ditëshit, sepse ligji i vjetër ka qenë që brenda 10 ditësh, pas mbajtjes së procesverbaleve vazhdohet më tej. Tashmë me ligjin e ri është brenda 60 ditëve. Gjatë kësaj kohe personi në fjalë na ka sjellë një shkresë, është një vërtetim Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Elbasan, datë 3 Qershor 2020, ku thuhet se ka bërë kërkesë për t’u përfshirë në proces legalizimi. Ç’ka do të thotë se zotëria ka bërë një kërkesë për t’u legalizuar. Pasi mora këtë vërtetim nga zotëria, i kam çuar unë një shkresë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Drejtorisë Vendore Elbasan, për të vërtetuar nëse kjo shkresë është e vërtetë. Jam në pritje dhe nuk më ka ardhur një shkresë.

Të ndodhur para këtij fakti, “Stop”-i interesohet tek Zyra Vendore e Kadastrës Gramsh, ku Xhilson Bajrami përgjegjës i Kadastrës deklaroi se nuk ka asnjë të dhënë që Hamit Lumshi të ketë aplikuar për leje legalizimi.

E njëjta përgjigje edhe nga zyra e Kadastrës Elbasan. Nuk ka! Jo, s’del fare në sistem!”

Kryeinspektori Alban Rrodhe i pyetur për këtë situatë, thotë se ndërtimi i Hamit Lumshit do të prishet.

“Do ta prish atë objekt. Do të marr vendim për prishje. E vetmja përgjegjësi që unë ndjej në këtë detyrë dhe për këtë rast, është që mos ta kisha lejuar që në fillim. Të jesh e bindur që çdo ndërtim pa leje, në kurorën Pishaj, do të prishet.”

Madje ai pranon, se nisur nga ky rast ka konstatuar edhe ndërtimet e tjera pa leje në lagjen 85, tek ish-SMT-ja.

Kur vajta pashë zotërinë që kishte një ndërtim pa leje, konstatova shumë ndërtime pa leje. I mora të gjithë listën, u kam çuar edhe një shkresë të gjithë atyre njerëzve që kanë zënë hapësirat publike atje apo kanë ndërtuar objekte, qoftë me leje, apo pa leje, që brenda 5 ditëve të vijnë dhe të më sjellin çdo lloj dokumentacioni që kanë në lidhje me ato objekte.” /tvklan.al