Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, ka njoftuar sot në një konferencë për mediat se për shkak të bllokimit të trafikut ajror nga punonjësit të Albcontrol nuk do të vijë dërgesa e radhës me vaksina kundër Covid.

Balluku u shpreh se  greva e sotme ka prekur të gjithë popullsinë dhe shtoi se dërgesa e vaksinave mund të vijë në ditët në vijim.

Kam ndjekur me shumë vëmendje Sali Berishën, ai ka një dëshirë shumë të madhe se si do të mbyllet aeroporti, se si nuk do të fluturojë asnjë person. Me thënë të drejtën unë e kuptoj Sali Berishën, pasi kjo është një organizim politik për shkak të fushatës elektorale. Sot nga Rinasi nuk do të vijnë dot vaksinat që duhet të vinin dhe të vijohej vaksinimi i shqiptarëve.

Sot për të prishur imazhin, po afektohet e gjithë popullsia siç thotë ai neni i Kodit të Punës. Sot një person që mund të jetë i sëmurë dhe duhet të kthehet në Shqipëri, nuk mund të kthehet. Sot nëse dikush ka ndërruar jetë dhe do të varroset në Shqipëri, nuk mund të varroset se nuk do Sali Berisha. Për të folur më pas me gjithë ato dezinformimet e qytetarit dixhital dhe kontrollorit dixhital“, tha Balluku./tvklan.al