Ende propozim, vetëm për ata që trajtohen me bursë

Studentëve të mjekësisë që trajtohen me bursë nga fondi i ekselencës do t’u bllokohet diploma në Shqipëri.

Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Arben Gjata pohoi për Tv Klan se bllokimi i diplomave për studentët e mjekësisë nuk do të jetë për të gjithë ata që ndjekin studimet, por vetëm për ata që trajtohen me bursa në këtë universitet.

Ndër të tjera në momentin e marrjes së bursës, studenti do të njoftohet që pas përfundimit të studimeve të mjekësisë do i bllokohet diploma për një periudhë trevjeçare duke shërbyer në sistemin shëndetësor në Shqipëri. Njëlloj siç veprohet me studentët e specializimeve.

Sipas rektorit Arben Gjata, bllokimi i diplomave nuk do të bëhet me detyrim, pasi do të jetë zgjedhja e studentit nëse do të trajtohet me bursë dhe të shërbejë për tre vite në sistemin shëndetësor shqiptar, ose jo. Në asnjë rast bllokimi i diplomave nuk do të bëhet për studentët të cilët janë duke ndjekur aktualisht degën e mjekësisë. Ky propozim pritet të hyjë në fuqi vetëm pas miratimit të tij.

Aktualisht çdo mjek i ri që përfundon specializimin dhe ka kontratë me Ministrinë e Shëndetësisë e ka detyrim që të punojë për tre vite atje ku e përcaktojnë strukturat shëndetësore, në të kundërt ka masa financiare për kthimin e pagesës prej 2 milionë lekësh dhe ndalohet për 5 vite të punojë në institucione shëndetësore publike.

Tv Klan