Komiteti i Mbrojtjes Civile ka vendosur që kontrollorët e trafikut ajror të cilët janë larguar nga detyra, të zëvendësohen me kontrollorë të rinj apo të huaj.

Në mbledhjen e zhvilluar online për situatën e krijuar në aeroportin e Rinasit ku janë të bllokuar të gjitha fluturimet që prej ditës së djeshme, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi që njëkohësisht është edhe kryetar i Komitetit të Mbrojtjes Civile, vuri në dukje se bazë të ligjit “Për Mbrojtjen Civile”, Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit konsiderohet infrastrukturë kritike, madje konsiderohet infrastrukturë kritike me efekt ndërkufitar.

Me propozim të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Komiteti i Mbrojtjes Civile vendosi që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë të marrë masat e nevojshme për të bërë operacional kontrollin e trafikut ajror, qoftë edhe duke zëvendësuar nëse lind nevoja kontrollorët e larguar me kontrollorë të rinj vendas ose të huaj.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë u ngarkua të përcaktojë kriteret minimale të licencës sipas standardeve ndërkombëtare si dhe çdo kriter tjetër të nevojshëm për të filluar fluturimet sa më parë.

Autoriteti i Aviacionit Civil u ngarkua të marrë të gjitha masat e nevojshme për rifillimin gradual të operimit ajror dhe në rast nevoje të licencojë në mënyrë të përshpejtuar kontrollorët e trafikut ajror në përputhje me urdhrin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë.  /tvklan.al