Prej disa ditësh, disa kontenierë kanë bllokuar urën kryesore të autostradës që lidh Venezuelën me Kolumbinë. Ushtarët besnikë të presidentit Maduro i kanë vendosur për të penguar hyrjen e ndihmave humanitare amerikane për popullsinë civile.

Lideri opozitar Huan Guaido, të cilin perëndimi e njeh si president të përkohshëm, akuzoi regjimin se me këtë veprim po kryen një krim kundër njerëzimit.

“Ky është genocid. Ka njerëz që janë përgjegjës për këtë dhe regjimi e di mirë. Ky është krim kundër njerëzimit dhe për këtë do të mbahet përgjegjësi”.

Por presidenti majtist Nikolas Maduro sheh komplot të fshehur për të rrëzuar qeverinë e tij, prapa kamionëve amerikanë me ndihma. E teksa ushtarakët po i dezertojnë, siç është rasti i Alberta Himeneth që bëri apel për lejimin e ndihmave humanitare, Maduro u shfaq duke vizituar nisjen e atyre që regjimi dhe aleatët rusë i konsiderojnë se stërvitjet më të rëndësishme në histori.

Gatishmëria është në nivelin maksimal për çdo të papritur që mund të sjellë një ndërhyrje ushtarake amerikane.

Tv Klan