Erion Veliaj me Manastirliun: Me rastin e Rinasit kuptohet kush janë njerëzit e punës

Kryetari i PS në Tiranë, Erion Veliaj, nga njësia 9 në kryeqytet komentoi situatën e krijuar në aeroportin e Rinasit, për të cilën shënjestroi në akuza kundërshtarët politikë.

“Këtu nuk është punë e majtë e djathtë, këtu është kush janë njerëzit e punës, kush janë njerëzit e bllokimit. Kush janë njerëzit që duan t’i çojnë gjërat përpara dhe punojnë me mish e me shpirt për vaksinën, për rindërtimin, për sfidat në Reformën në Drejtësi, për të bërë shkollat e reja, dhe kush janë ata përçaj e sundo, stërkëmbësha, thika pas shpine, intrigën e radhës”, tha Veliaj.

Në njësinë 9, kryebashkiaku i Tiranës prezantoi si kandidate për deputete ministren e Shëndetësisë Ogerta Manastirliun, e cila në fjalën e saj shpjegoi skemën se si do arrijnë te mbulimi tërësor i popullatës me vaksina ndaj pandemisë së Covid-19.

“Brenda muajit Maj gjysmë milioni shqiptarë të jenë vaksinuar, e më tej në skenarin e parë, në 14 muaj apo në Pranverën e vitit të ardhshëm të kemi vaksinuar të gjithë popullatën”, u shpreh Manastirliu.

Veliaj zhvilloi takime dhe në Pezë, Vaqarr e Ndroq.

Klan News