Një shumë e konsiderueshme parash në një llogari bankare është bllokuar me vendim të Gjykatës së Tiranës, e cila ka vendosur sekuestro preventive pas hetimeve të Policisë së Tiranës.

Bëhet fjalë për 400 mijë Dollarë që i përkasin biznesmenit me iniciale A.G., administrator i një shoqërie shpk. Hetimet që nisën më 26 Maj të këtij viti, janë fokusuar në pistën e pastrimit të parave dhe ushtrimit të veprimtarisë financiare pa licencë.

Policia thotë se arriti të bllokojë paratë pas tentativës që bëri biznesmeni A.G. për t’i transferuar 400 mijë Dollarët në Australi në llogarinë e vëllait të tij.

Nën drejtimin e Prokurorisë po vijon puna për të zbuluar asete të tjera dhe bashkëpunëtorët në këtë aktivitet kriminal. /tvklan.al