Një ngjarje e pazakontë mund të konsiderohet ajo që ka ndodhur këtë të shtunë në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit. Autoritetet policore atje bllokuan fluturimin e një avioni, pasi kapiteni kishte konsumuar sasi të mëdha alkooli.

Në një njoftim për mediat, policia thotë se për rastin është proceduar penalisht në gjendje të lirë piloti 47-vjeçar me iniciale E.L, me shtetësi spanjolle.

Gjithçka u zbulua në kohën kur pasagjerët po hipnin në avion, pasi kolegu i 47-vjeçarit njoftoi Policinë Kufitare të Rinasit dhe kompaninë se kapiteni kishte konsumuar akool.

Policia Kufitare ndërhyri menjëherë, duke bllokuar fluturimin dhe duke kthyer pasagjerët në tranzit.

47-vjeçarit, pas kërkesës së kompanisë ajrore, i është bërë testi i alkoolit. Ai rezultoi pozitiv, pasi kishte konsumuar alkool në masën 0.35 mg/l testi i parë dhe 0,31mg/l testi i dytë.

“Për sa më sipër, pas konsultës me Prokurorin, shtetasi E.L u procedua penalisht në gjendje të lirë dhe materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme për veprën penale ”Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt”,

thuhet në njoftimin e policisë.

Sa i përket fatit të avionit, policia thotë se kompania ka marrë masat, duke zëvendësuar pilotin me një tjetër dhe për këtë shkak është shtyrë fluturimi për 5 orë më vonë.

“Policia e Shtetit gjen rastin të falenderojë stafin e avionit të linjës së radhës, si dhe kompaninë për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin, si dhe pasagjerët e avionit për vonesën, por më mirë vonë po destinacion të sigurtë”

, e mbyll njoftimin e saj Policia e Shtetit.

/tvklan.al