Situatë e pazakontë shënohet në qarkun e Fierit, nga ku është ndërprerë procesi i numërimit të votave, për të rinisur pasditen e sotme, por me disa debate.
Fillimisht ishte pezulluar numërimi për të rinisur si proces në orën 12 të drekës.
Kryetari dhe nënkryetari i KZAZ në Fier dhanë deklaratë për media, duke sqaruar se mbingarkesa e punës ka shkaktuar lodhje, e me shumicë votash është vendosur që të merret pushim. Por një debat ka pasur mes tyre, pasi kryetari pohon se puna rinis në orën 16:00 ndërsa nënkryetarja në orën 18:00. Mbetet për t’u parë vendimi i kujt do të “triumfojë”.
Kryetari: KZAZ nr.60 këtu në Fier, vendosi me shumicë votash, për shkak të lodhjes së gjatë fizike duke qenë se puna ka qenë e pandërprerë që ditën e shtunë, me dorëzimin e bazës materiale duke vazhduar deri orët e vona siç kemi njoftuar KQZ-në, ardhja shpejt të dielën, ndjekja e procesit, pa ndërprerje pastaj marrja e kutive të votimit… e u gjykua që duke parë dinamikën e numërimit për shkak të lodhjes fizike, e për nevojën e një shplodhje, vendosi që me shumicë votash për disa orë, e në respektim të kodit zgjedhor, për të mos u konsideruar një pushim i gjatë, të ndërpresim numërimin e të rifillojmë punën në orën 16:00, të ditës së sotme. Vendimi i KZAZ është do rinisim në 16:00.
Nënkryetarja: Duke qenë se KQZ kishte një orar limit deri në orën 18:00, ne propozuam për shkak të lodhjes që tha dhe kryetari, që të gjithë anëtarët e KZAZ, numëruesit dhe vëzhguesit të paraqiten në orën 18:00. Nuk ramë dakord. Nuk ramë dakord. Kështu që, të gjithë anëtarët e KZAZ, numëruesit dhe vëzhguesit do të paraqitën në orën 18:00, ndërsa pala tjetër do të jetë në orën 16:00.
Kryetari: Ne do të vijmë në detyrë në orën 16:00, siç e parashikon Kodi Zgjedhor.
Nënkryetarja: Ne do të jemi në detyrë në orën 18:00.
Kryetari: U mor me vendim shumice kështu që…
Nënkryetarja: Anëtarët e KZAZ, të gjithë numëruesit dhe të gjithë vëzhguesit do të paraqiten në këtë KZAZ në orën 18:00.
/tvklan.al