Edhe këtë të Premte, për herë të dytë, dështoi mbledhja e Komisionit të Reformës Zgjedhore.

Ishin deputetët e opozitës ata të cilët nuk lejuan zhvillimin e punimeve duke u ulur në karriget e kolegëve të mazhorancës. Këta të fundit, janë detyruar më pas të largohen nga Kryesia e Kuvendit.


47 deputetë opozitarë i  kanë drejtuar një shkresë dje Kryetares së Kuvendit për ndryshimin e përbërjes së komisionit, me argumentin se 2 bashkëkryetarët aktualë Damian Gjinkuri dhe Enkeled Alibeaj nuk kanë dhënë asnjë rezultat prej 22 muajsh.

Sot, në prononcim për mediat, deputetët Ervin Salianji dhe Oerd Bylykbashi hodhën akuza ndaj mazhorancës, duke theksuar se ata nuk e duan realizimin e reformës zgjedhore dhe se gjithë kjo situatë është “teatër”.

“E patë edhe sot një teatër tjetër. Nga shtatë deputetët që kanë marrë me dhunë bashkëkryesimin me votat e mazhorancës kishin konfirmuar pjesëmarrjen në mbledhje. Edhe sot u bojkotua mbledhja siç është bojkotuar prej dy vitesh me radhë. E patë teatrin dhe nënqeshjen e përfaqësuesve të mazhorancës kanë dy vite që nuk bëjnë asnjë gjë, nuk duan reformë zgjedhore, e thanë hapur në mbledhje që do të gjejnë forma të tjera se si ta bëjnë reformën, por jo reformim zgjedhor, por si të adresojnë problematikat që ka adresuar Gjykata Kushtetuese. Praktikisht thanë prapë që do përpiqen të gjejnë vota për t’i bërë zgjedhjet kushtetuese sepse nuk mund të ketë zgjedhje. Zgjedhjet janë antikushtetuese me këtë kod zgjedhor që është sot. Kjo është situata. Kjo është tallja që bëhet me qytetarët”, deklaroi Salianji.


Bylykbashi theksoi se socialistët nuk duan një reformë konsesuale. “Sot ishte përsëri prova sesi PS nuk kërkon një reformë zgjedhore, konsesuale, me një komision bipartizan që funksionon mbi bazën e konsensusit. OSBE/ODIHR para dy ditësh u shpreh shumë qartë, tradita mbi 20-vjeçare e komisionit konsensual, është një praktikë e mirë jo vetëm për rajonin, por të të gjithë OSBE. E thënë e zezë mbi të bardhë. Pra është ajo që kërkojmë ne në mënyrë konstante. Një komision i cili përbehet gjysma e tij nga mazhoranca, gjysma nga opozita. Secila palë përfshin të gjithë faktorët politikë dhe partitë politike brenda saj. Bashkëkryetarët që mbajnë veton i takojnë partisë më të madhe në mazhorancë dhe partisë më të madhe në opozitë, që është PD, që ne përfaqësojmë me kërkesë të qartë të pothuaj 50 deputetëve parlamentar. Është rrëzuar njëherë kërkesa, qartazi, në vullnetin e shprehur të Edi Ramës për të mos bërë reformë konsesualenë thyerje të traditës 20-vjeçare, të asaj që ka prodhuar një Kod Zgjedhor, që siç thotë ODIHR përbën një bazë të shëndoshë për zgjedhjet demokratike, që ka garantuar 2 herë rotacion politik. Edi Rama këtë nuk e do, ka bllokuar rotacionin politik nëpërmjet zgjedhjeve të manipuluara, si ato të 2017-s, 2019-s, 2021-t, 2023-t”, tha ai.

Bylykbashi kërkoi nga mazhoranca që të lerë sipas tij “lojën që bën me segmente të vogla”

Pavarësisht këtij qëndrimi, PD dhe të gjitha partitë e opozitë, koalicioni i opozitar, ka shprehur vazhdimisht gatishmërinë për të marrë pjesë në mënyrë aktive, konstruktive, për të gjetur konsensus për të ruajtur atë që kërkojnë partnerë ndërkombëtarë në deklaratën e fundit, fare qartë dhe nga ODIHR. Rekomandimet e OSBE/ODIHR të gjitha në përputhje me ato që kemi ngritur ne si shqetësime. Kjo është kërkesa e re e dorëzuar dje në parlament, ku 47 deputetë, kanë firmosur sërish kërkesën që Komisioni i Reformës Zgjedhore të rikompozohet në përputhje me vullnetin e shumicës dërrmuese të opozitës. Përsëri ne presim që mazhoranca të lerë lojën që bën me segmente të vogla. Shqipëria nuk ka nevojë për politikë të njëanshme që mbështetet mbi paterica”, tha Bylykbashi.


Kujtojmë se OSBE/ODIHR-i u ka bërë thirrje partive kryesore në vend që të gjejnë gjuhën e dialogut dhe të angazhohen në realizimin e reformave në mënyrë që të zgjidhet çdo problematikë që lidhet me procesin zgjedhor në Shqipëri. Ambasadorja e misionit në Tiranë Clarisse Pasztory ka takuar javën e shkuar kreun e grupit të PD Gazment Bardhi si dhe dy bashkëkryetarët e Komisionit.

Ndërsa Gjinkuri e Alibeaj kanë kërkuar atashimin e ekspertëve ndërkombëtarë për t’i ardhur në ndihmë punës së këtij komisioni, Bardhi e ka emërtuar rifillimn e punimeve si fasadë. Ai u shpreh për mediat se demokratët i besuan fillimisht Alibeajt, por ai nuk e realizoi detyrën e tij.

Bardhi ka ridepozituar në Kuvend emrat që ky grupim dëshiron të ketë si përfaqësues të tyre në Komisionin e Reformës, listë nuk janë përfshirë asnjë nga 2 deputetët e grupimit të Bashës si bashkëkryetari Alibeaj apo deputeti Kreshnik Çollaku./tvklan.al