Sheshi Skënderbej pas ditën e nesërme do të jetë vetëm për këmbësorët. Bashkia e Tiranës dhe Policia Rrugore kanë marrë të gjitha masat për festimin e Vitit të Ri ne shesh. Përveçse është menduar për mënyrat e argëtimit me koncerte e lojëra, janë njoftuar të gjithë qytetarët me automjete se ndalohet qarkullimi në drejtim të sheshit.

Të gjitha hyrjet për në qendër pritet të bllokohen me vazo lulesh nga bashkia. Mos qarkullimi do të nisë nga ora 16:00 deri ne 05:00 te datës 1 Janar. Komandanti i trafikut, Major Gugash Dollia, tregon hartën e qarkullimit dhe këshillon qytetarët.

Rrugët që do të bllokohen do të jenë tek estrada e shtetit, semafori i Muzeut Kombëtar, semafori i Bankës së Shtetit, kryqëzimi i PTT-S, kryqëzimi i Ministrisë së Rendit Publik dhe i Ministrisë së Mbrojtjes, rruga “Abdi Toptani”, busti i Sulejman Pashës, si edhe kryqëzimi tek 9-katëshet. Të gjitha këto rrugë do të jenë të bllokuara me vazo lulesh nga ana e Bashkisë së Tiranës.

Policia Rrugore do të jetë pikërisht në këtë unazë të vogël, për të mos lejuar bllokimin e këtyre rrugëve, në ambientet e shumtë që mund të vijnë në sheshin Skënderbej, sepse nuk kemi vende parkimi për të gjitha këto automjete që do të vijnë pranë sheshit Skënderbej.

Do të ju thoja që të mos përdorin pije alkoolike, sepse mund të sjellin pasoja të paparashikueshme, aksidente të ndryshme rrugore për këmbësorët. Do t’i këshilloja që fëmijët e tyre të mos i mbajnë para, por t’i mbajnë në makinë mbrapa, sepse edhe ata mund të bëhen burim aksidenti.

Dhe e fundit që do të ju sugjeroja, është që të mos nxjerrin njerëzit e tyre në dritaret e makinave”, tha Major Dollia.

50 policë trafiku janë të detyruar të qarkullojnë dhe të festojnë Vitin e Ri në shesh, për të ruajtur qetësinë dhe sigurinë e qytetarëve./tvklan.al