Qeveria ka vendosur që të japë për shfrytëzim edhe vendburimin e naftës dhe të gazit në jug të vendit, i cili njihet si Blloku 5. Kjo zonë ndodhet mes Delvinës dhe Sarandës dhe kufizohet nga dy vendburime të tjera nafte: Panajaja dhe Velça.

Burime zyrtare për Televizionin Klan bëjnë me dije se një ditë më parë është zhvilluar një vizitë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë mes zv/ministrit Ilir Bejtja dhe një grupi përfaqësuesish të kompanisë “Cox Operating L.L.C”, ku temë e diskutimit ka qenë pikërisht interesi që ka shfaqur kjo shoqëri për të bërë kërkime në fushën e naftës dhe të gazit.

Bisedimet janë fokusuar mbi mundësinë e nisjes së kërkimeve në Bllokun 5 në tokë, ku besohet se aty ndodhen rezerva të konsiderueshme të lëndëve hidrokarbure. Firma “Cox Operating” vepron aktualisht në 600 puse për kërkimin dhe nxjerrjen naftës në gjirin e Meksikës dhe është e themeluar në vitin 2004 në Dallas, Texas.

Interesi i kësaj firme vjen brenda të njëjtit muaj ku qeveria bëri rishikimin e marrëveshjes me kompaninë Shell dhe vendosi të vjelë taksa që në fuçinë e parë të naftës që do të tregtojë shoqëria nga operacionet në Shqipëri.

Tregu ndërkombëtar i naftës tashmë është stabilizuar, pas një recensioni që pati dy vjet më parë, duke dhënë efekte edhe në vendin tonë. Në dy zona ku qeveria kishte nisur negociatat me firma të njohura ndërkombëtare për dhënien e blloqeve të lira të naftës me koncesion, kompanitë u tërhoqën.

Tv Klan