Një blogere e njohur në Kinë është djegur me benzinë nga ish-bashkëshorti i saj teksa po përpiqej që të transmetonte drejtpërdrejt në platformën e saj sociale.

Mediat lokale kineze raportojnë se blogerja e quajtur Lamu ishte mjaft popullore në Douyin, një rrjet social për videot i ngjashëm me TikTok. Lamu pësoi djegie në 90% të trupit, por vdiq në spital dy javë më vonë. Kjo ngjarje ka shkaktuar debate të mëdha në rrjetet sociale për rastet e dhunës ndaj grave në Kinë.

30-vjeçarja Lamu kishte mjaft ndjekës virtual dhe vlerësohej për faktin se nuk përdorte make-up në videot e saj, ku postonte momente nga jeta rurale në një fshat të Kinës. Ngjarja e rëndë ka ndodhur më 14 Shtator, ndërsa blogerja ndërroi jetë në spital më 30 Shtator.

Familja e Lamu u kërkoi ndihmë financiare fansave virtualë të 30-vjeçares, dhe brenda 24 orësh u mblodhën më shumë se 114 mijë Paund.

Sipas mediave kineze, ish-bashkëshorti i blogeres i identifikuar vetëm me mbiemrin Tang, kishte hyrë me forcë brenda shtëpisë së 30-vjeçares duke mbajtur në dorë një thikë dhe një shishe me benzinë. Çifti u divorcua gjatë muajit Maj të këtij viti. Ata kanë dy fëmijë së bashku dhe secili fitoi kujdestarinë e njërit prej tyre. Në mediat lokale thuhet se Lamu dhunohej shpesh nga ish-bashkëshorti. Ky i fundit është i arrestuar për akuzën e vrasjes me dashje. /tvklan.al