Pirro Çako ishte i ftuar në emisionin “Blue” për të zbuluar më shumë rreth karrierës së tij artistike dhe profesionale. Edhe pse i lindur në një familje artistësh ku babai i tij tenor dhe mamaja soprano, Pirro duket se devijoi paksa duke u bërë një kompozitor dhe të shkruante këngë për të prekur zemrat e mijëra dëgjuesve.

Kështu nisi dhe biseda e natës së sotme, fill pas mbarimit të spektalit “Kënga Magjike” ku kënga e Aleksandër Gjokës, e kompozuar nga Pirro Çako, fitoi vendin e dytë. “Është kënaqësi për mua sepse e doja që më shumë të fitonte kënga e Aleksandrit sesa e imja. Kisha një lidhje ndryshe me atë këngë.”

Mes një kolazhi fotosh ai foli për karrierën e tij, familjen si dhe martesën me sopranon e njohur Inva Mulën. “Ne jemi njohur në bankat e shkollës dhe kjo ka qenë një avantazh me atë çfarë erdhi më vonë. Që në bankat e shkollës u ndjeme të barabartë. U dashuruam dhe e pamë veten si dy krijesa të barabarta që ishim bërë për njëri-tjetrin.”/tvklan.al