Në këtë takim në studion e “Blue”, përballë moderatorit Bledi Strakosha është këngëtarja e mirënjohur Soni Malaj.

Në një bisedë miqësore e të sinqertë, ajo rrëfen marrëdhënien e veçantë që ka me familjen e saj, e sidomos më vëllain e saj që është 4 vjet më i madh se ajo, i cili ka ndikuar shumë në karrierën e Sonit. Ajo tregon gjithashtu se prej më shumë se një dekade nuk e feston Vitin e Ri me familjen, për shkak të koncerteve jashtë vendit.

Këngëtarja e famshme rrëfen fillimet e saj në karrierë që në moshë të vogël, në qytetin e lindjes, Bajram Curri, në Tropojë, ku mori edhe mësimet e para të muzikës e pati interpretimet e para në skenë në festivalet për fëmijë. Por si ka qenë fëmijëria e saj në qytetin veri-lindor shqiptar ku u lindi e jetoi deri në moshën 9-vjeçare për t’u shpërngulur më pas me familjen në Tiranë. Përse zgjodhën të vinin në kryeqytet?

Dalja e parë e saj në skenën e madhe të festivaleve ka qenë me grupin “Spirit Voice”, në fundin e viteve ’90, ku katër vajzat e talentuara korrën mjaft sukses e morën disa çmime me interpretimet e tyre. Por si lindi ky grup muzikor dhe si e përjetoi Soni fundin e tij? Sa e vështirë ishte të niste një karrierë solo? Cilat kanë qenë bashkëpunimet më të suksesshme të saj? Të gjitha këto i gjeni të rrëfyera me hollësi në këtë intervistë të saj.

Soni përqendrohet gjithashtu edhe tek sakrificat që ajo, si shumë këngëtarë të tjerë, duhet të bëjë për të qenë në formë, si vokalisht po aq edhe fizikisht. 

Me sinqeritet, Soni rrëfen edhe shumëçka për marrëdhëniet e saj dashurore, për të cilat publiku e media ka patur gjithnjë kureshtje, edhe pse sipas Sonit, kjo e fundit ka abuzuar gjithnjë me shkrime të papërshtatshme për të, si për jetën private po aq edhe atë profesionale./tvklan.al