Deputeti socialist Ben Blushi u shfaq i zhgënjyer për situatën ku degradoi seanca plenare e kësaj të enjteje.

Blushi i kërkon partisë së tij që të kërkoj falje për cilësine e deputetëve që ka futur në Parlament, shumë prej të cilëve sipas tij preken nga ligji për Dekriminalizmin.

Ben Blushi, Deputet i Partisë Socialiste: 

 “Në vend që të ishte një debat vezësh, duhet të ishte një debat serioz. Për gjendjen ku e ka katandisur Parlamentin e Shqipërisë, për fat të keq. Për degradimin që ai ka pësuar, për njerëzit e papërshtatshëm që janë futur në parlament, për mënyrën se si edhe kur ata gjykohen, nuk gjykohen si qytetarët e thjeshtë. Për një standart të deformuar që politikanët në Shqipëri, gjykohën ndryshe nga drejtësia në raport me njerëzit normal, jashtë Parlamenti. Edhe besoj që sot, ka ardhur dita që të paktën ne që jemi në shumicë, Partia Socialiste në rrallë të parë duhet t’i kërkojë ndjesë shqiptarëve, për degradimin dhe ndotjen, e imazhit të këtij parlamenti.

Se për fat të keq ky mbetet dhe do të mbetet, një ndër parlamentet më të damkosura në historinë e Shqipërisë, këto 25 vjet. Kur shumë njerëz që nuk duhet të ishin aty, shumë njerëz që gjykata i konstaton me konflikt interesi, shumë njerëz me rekorde kriminale të cilët detyruan BE të kushtëzonte parlamentin me një ligj për dekriminalizimin, në fakt ishin edhe mbeten atje.”

Deputeti Blushi ka folur disa herë me shqetësim për deptuetët e inkriminuar, që janë bërë pjesë e grupit parlamentar të Partisë Socialiste.

Tv Klan