Akuzon qeverinë se po u jep klientëve të saj vijën liqenore të Pogradecit

PD e drejtuar nga Sali Berisha vijon negociatat për bashkimin brenda PD dhe zgjerimin e koalicionit opozitar. Nënkryetari i PD, Luçiano Boçi deklaroi se fronti opozitar mund t’i bashkohen të gjitha ato forca politike që janë kundër qeverisë “Rama”.

“Po është e vërtetë. Po punohet për një proces bashkimi jo vetëm brenda rradhëve të Partisë Demokratike por për ta shtrirë bashkimin në një situatë gati zgjedhore edhe në pjesët e partive opozitare që janë të gatshme të bëhen pjesë e këtij fronti opozitar dhe aksionit opozitar jo thjesht zgjedhor por edhe aksionit që pararend situatën zgjedhore. Partia Demokratike dhe përfaqësuesit e saj janë në bisedime intensive për të rakorduar të gjithë këtë aksion opozitar.”

Ashtu si Berisha, Boçi përjashton nga ky bashkim Lulzim Bashën dhe Enkelejd Alibeajn, të cilëve u kërkoi të reflektojnë dhe të nisin betejën me Ramën.

“Personat të cilët i shërbejnë qeverisë, janë patericë e tyre nuk kanë vend as tek Partia Demokratike, as tek demokratët dhe as tek fronti opozitar çfarëdolloj emri të kenë ato, e kanë Lulzim Basha apo e kanë Enkelejd Alibeaj.”

Nga selia blu, Boçi akuzoi qeverinë po u jep klientëve të saj vijën liqenore të Pogradecit, duke theksuar se po jepen hapësira publike për të ndërtuar kulla.

“Tani i është sulur vijës liqenore të Pogradecit për ta bërë pikërisht Pogradecin viktimë të kombinimit të korrupsionit ekonomik me korrupsionin politik duke transferuar pasuritë publike në duart e investitorëve. Kryeministri ynë nuk tutet para përfitimeve dhe korrupsionit ekonomik. Është i gatshëm që ta përjashtojë Pogradecin nga zona e mbrojtur vetëm që të realizojë qëllimet e tij korruptive.”

Nënkryetari i PD, tha se aksioni i opozitës në parlament do të vijojë, ndërsa theksoi se çdo aksion i partisë është në koordinim të plotë me ish-kryeministrin Sali Berisha, pavarësisht se ndodhet në “arrest shtëpie”.

Klan News