Anëtari i Kryesisë: Kandidimi im për kreun e Bashkisë së Tiranës mbështetet nga baza e PD

Pas dy vitesh jashtë Kuvendit, Partia Demokratike duket si i ka të qarta objektivat e saj për 4 vitet e ardhshme. Anëtari i Kryesisë së kësaj force politike, Gerti Bogdani, thotë për Klan News se një nga kërkesat e para të PD në Kuvend do të jetë ndryshimi i reformës territoriale, për të cilën selia blu ndan pikëpamje të ndryshme me socialistët.

Përgatitjet e aleatëve për të krijuar grup parlamentar të ndarë nga PD, Bogdani e sheh si një ndihmë më shumë që opozita të rritë influencën e saj në Kuvend.

Anëtari më i votuar në radhët e anëtarëve të kryesisë së PD, pranon se synon kandidimin për kryetar Bashkie në Tiranë në zgjedhjet e ardhshme, duke thënë se kjo ka mbështetjen e bazës së PD në Tiranë.

Bogdani shprehet se ndryshimet e bëra në strukturat e PD pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare të 25 Prillit kanë ndihmuar në ndarjen e pushtetit brenda partisë, gjë e cila sipas tij e bën më të fortë selinë blu në zgjedhjet e ardhshme.

Partia Demokratike rikthehet në Kuvend pas humbjes së pushtetit në nivel lokal në zgjedhjet e vitit  2019 si dhe pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare të 25 Prillit, të cilën PD ende nuk e ka njohur zyrtarisht duke pretenduar për manipulim të procesit zgjedhor.

Klan News